Shqipëria ka një numër të madh televizionesh të cilët po shtohen dita ditës. Natyrshëm më lind pyetja… A janë të nevojshme të gjitha këto kanale ku pjesa më e madhe e tyre ritransmetojnë pa fund? Unë mendoj që jo.
Top Channel së fundmi është transferuar në studiot e reja në Kashar. Falë transferimit kemi pasur mundësi të shikojmë studiot e reja nga ku transmetohet tashmë pjesa më e madhe e programeve. Studio mjaft të bukura dhe tërheqëse. Gjithashtu, TCH ka premtuar dhe programe të reja në sezonin e ri. Falë programacionit të larmishëm ka arritur që të jetë një TV lider në tregun kaotik mediatik shqiptar.
Tv Klan, i cili ishte i pari tv që kaloi në formatin HD, me sa duket ka vendosur që të rrisi shikueshmërinë me telenovela turke. Gjatë gjithë verës ky tv nuk ka ofruar gjë tjetër veç ritransmetimit të serialeve. A mendoni se ishte e nevojshme që të transmetohej një telenovele për më shume se 4 orë rresht çdo ditë??? Gjithsesi, mbetet për tu parë se çdo na ofrojë këtë sezon. Nëse e mbaj mend mirë çdo fund edicioni X Factor Albania bënte thirrje për tu bërë pjesë e audicioneve. Këtë herë këtë gjë nuk e benë. Mos ndoshta kjo do të thotë se kaq e pati dhe Fakrori X në Shqipëri?
Vizion+ duket të jetë një kanal i dashur për ne por nuk po arrin të konkurojë me TV-të e mëdha. Së fundmi, sëbashku me Tring kanë marrë të drejtat e transmetimit të Ligës së Kampionëve. Bravo!!! Po tjetër??? Sigurisht që disa prej emisioneve janë të mira por, nuk ka kaluar akoma në HD. Pas shumë kohësh solli një program të ri, Tu si que vales. Më vjen keq ta them po e gjitha mu duk një farsë. Nuk e di se si është e mundur që në natën finale publiku arriti të votonte me sms kur programi ishte i rregjistruar dhe jo live.
Së fundmi A1 Report është shkrirë në dy tv që transmetojnë të njëjtën gjë. AS falimentoi.
Agon Channel, që erdhi më shumë bujë, nuk ka bërë asnjë njoftim për fillimin e sezonit të ri. Kjo ndoshta edhe për shkak të situatës në të cilën ai ndodhet. Gjithsesi bravo për punën e bërë. Ja kanë arritur që të realizojne pjesën më të madhe të emisioneve për të dyja kanalet në një studio të vetme. Por kjo filloi të bëhej e bajatshme duke parë emisione të ndryshme në një studio, në të cilën ndryshonte vetëm sfondi mbrapa dhe disa detaje shtesë.
Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim se çdo na servirin këtë sezon të ri kanalet shqiptare. Apo do jetë e nevojshme që të gjejmë përseri ngushëllim te tv e huaja?
E. S.