I gjithë mëngjesi i sotëm ka mbledhur pranë Presidencës, krerët e partive politike. Ilir Meta ka nisur diskutimet dhe konsultimet me ta, për të vendosur një datë të përbashkët për zgjedhjet e vitit 2021.
Opozita ka qenë dakord për të njëjtën datë: 18 prill. Në një pronocim për mediat, këtë e ka bërë të ditur një prej nënkryetarëve të partisë Republikane dhe Agrare Ambjentaliste.
Ndërkohë, gazetari Ergys Gjençaj ka konfirmuar se në takimin e kryeministrit Edi Rama me Metën u vendos që maxhoranca është e gatshme të shkojë në zgjedhje në çdo datë, me përjashtim të 2 majit. Kjo e fundit përkon me festën e Pashkëve Ortodokse. Rama shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili ka shprehur mendimin që zgjedhjet të mbahen në 9 maj, që është Dita e Europës.
Pas kryeministrit, ka mbërritur në Presidencë Lulzim Basha i shoqëruar nga Oerd Bylykbashi. Kryedemokrati është shprehur se për shqiptarët duhen zgjedhje sot, sa më parë:
“Shumica e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër. Ata duan zgjedhje, sepse janë të lodhur nga propaganda, dështimet dhe mashtrimet. Qytetarët kanë nevojë urgjente për punë, bizneset, mjekët, kanë nevojë urgjente për ndihmë, fermerët kanë nevojë për treg shitje, të rinjtë për arsimim e punësim, pensionistët kanë nevojë për rritje reale të pensioneve. Pra, shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot. Për ne është e rëndësishme që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm.”, tha Basha.
Theksin mbi procesin e lirë dhe të ndershëm e ka vendosur dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Ajo është shprehur se data nuk është e rëndësishme, pasi këto janë zgjedhje që duhet të ishin bërë para 2 vitesh. Kryemadhi ka rënë dakord për përjashtimin e 2 majit, si dita e festimit të Pashkëve. /News31