Një ditë pasi mediat hodhën hije dyshimi dhe publikuan disa dokumente mbi pasurinë e Kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala, ILDKPKI ka nisur hetimin dhe kontrollin e deklaratave dhe dosjes së tij për deklarimin e pasurisë.
Sikurse thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Inspektoratit të lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive subjekt i këtij hetimi do të jetë dhe bashkëshortja e kreut të AMA-s, zonja Dorela Sala.
Në këtë njoftim theksohet ndër të tjera se z.Sala nuk do ti nënshtrohet vetëm një kontrolli pasuror por do shqyrtohet edhe gjendja e konfliktit të interesit: “Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur.”
Një ditë më parë portalet dhe mediat zbardhën dokumenta të pasurisë së Kreut të AMA-së dhe bashkeshortes se tij dhe ngritën pikëpyetje rreth shumës prej 164 mijë eurosh të shtuar prej tij që në vitin e parë si Kryetar i ketij institucioni.
Këtu mund të gjeni njoftimin e plotë për media të ILDKPKI-së