Lajmi për largimin e bukuroshes nga emisioni sportiv ishte ndër më të lexuarit këtë javë. U tha se Ilda Bejleri do të braktiste programin e saj për të nisur një spektakël. Moderatorja sportive e Digitalb ka sqaruar përmes “Instagramit” të saj se “Nuk është e vërtetë, Super-Sport dhe Digitalb janë 1”.
Bejleri u referohet titujve të disa mediave online që shkruajnë se ajo është larguar nga SuperSport, dhe në brendësi të artikujve thuhet se ajo do të lërë SuperSport për t’u bërë pjesë e një prej kanaleve të Digitalb, jo me profil sportiv. Jemi mësuar ta shohim Bejlerin si prezantuese programesh e lajmesh sportive në Supersport, por tani ajo do t’i drejtohet një gjinie tjetër të programeve televizive. Pa iu larguar sportit, mësohet se bëhet fjalë për një spektakël në të cilin njerëz të njohur të të gjitha fushave sfidojnë veten.
E kontaktuar nga “Bluetooth”, bukuroshja pranon të ndajë disa detaje nga formati ri që do të nisë shumë shpejt në Digitalb. “Programi im i ri quhet “Sfida”, është një spektakël ndryshe nga sa jemi mësuar të shikojmë. Është një patentë ndërkombëtare, e cila është blerë tashmë. Në Amerikë është ndër spektaklet më të ndjekura, “Hall in the wall” quhet. VIP-at shqiptarë do të vihen përballë lojërave të ndryshme, ku do të testojnë jo vetëm inteligjencën, por edhe aftësitë fizike”, shprehet bukuroshja. Formati është ndër më të famshmit në botë, si dhe nga më gazmorët.
Personazhet do të gjenden përballë një tabele lëvizëse që do tu drejtohet atyre. Do t’ju duhet të përshtaten me formën surprizë që do drejtohet tek ata, e nëse forma nuk është ajo e duhura, pasi përplasen me të, përfundojnë në pishinë. Natyrisht që formati do të rezervojë shumë të qeshura, teksa do të shikojmë personazhet VIP që këtë herë do të dalin nga pishina të qullur. I gjithë interesi i sportdashësve është nëse Ilda do të vijojë të jetë pjesë e emisionit sportiv. Natyrisht që gazetarja seksi na ka rrëfyer se do të vijojë të jetë pranë sportit për të gjithë ndjekësit e shumtë që ka. “Normalisht që do të vijoj punën time edhe në programin sportiv. Do ti bëj të dyja formatet paralelisht”, ka përfunduar Ilda prononcimin e saj për “Bluetooth”.
Marrë nga Balkanweb