Që prej ditës së djeshme Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastasi është duke marrë trajtimin spitalor në spitalin “Evangjelizmos” në Athinë për shkak të COVID-19.
Ai përmes një mesazhi drejtuar besimtarëve ka folur në ditën e parë të qëndrimit të tij në hospitalizim:
“Dita e parë në “Evangelismos” tashmë ka kaluar dhe gjithçka po shkon mirë. Gjatë gjithë jetës sonë ne i referohemi Zotit të surprizave por edhe Zotit të mrekullive.
Udhëtimi ynë në Shqipëri filloi me thirrjen “Zoti është me ne” dhe përgjigjen me një zë “edhe ne me Zotin”, e cila mbështeste sigurinë tonë se “nuk do të na braktisë Perëndia”.
Falënderime të përzemërta për mjekët dhe infermierët e shquar dhe për morinë e njerëzve që edhe një herë shprehën dashurinë e tyre me lutje spontane.
Dy fjalë nga leximi i Ungjillit të së Dielës së kaluar përcaktojnë qëndrimin e duhur: “Mos ki frikë, thjesht beso”.” – ka thënë ai.
Ditën e sotme gjithashtu spitali “Evangjelizmos” në deklaratën mbi gjëndjen shëndetësore të Kryepeshkopit është shprehur se ai është mirë dhe gjendet i shtruar në repartin intensiv. Spitali deklaroi se gjëndja e tij është e qëndrueshme dhe nën kontroll.
InfoMedia Albania