Veronika, vajza arabe e ardhur në “Ka Një Mesazh për Ty” ka ftuar mamanë e saj, Bedrien. Në këtë pjesë të programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan vjen zonja Bedrie, e cila është shqiptare, jeton në Itali dhe ka rritur Veronikën si vajzën e saj. Ende pa e ditur se kush qëndron në anën tjetër të ekranit, ajo nis të rrëfejë vetë historinë e saj.
Ajo vjen nga Elbasani dhe familja e saj ka qenë e persekutuar. Ajo tha se pas lindjes së djalit të saj të parë, u sëmur shumë rëndë me një sëmundje lëkure, sklerotermi. Kur ishte shtatzënë me fëmijën e dytë, ajo u sëmur më rëndë dhe mjekët i thanë të hiqte fëmijën, por kurrë nuk pranoi. Preferonte të vdiste vetë dhe djalit mos t’i merrte jetën. Nga gjendja e përkeqësuar, i shoqi u largua me gomone për në Itali. Bedria tregoi se i doli bursa për studime dhe vendosi të qëndronte në Shqipëri të vazhdonte shkollimin. Ajo u bë mësuese në Kavajë për 8 vite dhe pasi i shoqi u pajis me letra iku dhe ajo për t’u kuruar.
Sot Bedria tregoi me një mesazh human se si dashuria prej një nëne mund t’i ndryshojë jetën dikujt të pafajshëm që ka mbetur pa një nënë. Bedria tregoi sesi brenda një dite jeta e saj dhe e një vogëlusheje ndryshoi duke ia zbukuruar jetën e vështirë.
Bedria: Atje më tha një djalë: “Bedrie është një grua që ka restorant dhe ka nevojë për punë”. Unë i thashë: “unë nuk punoj dot nga duart, megjithatë unë do shkoj”. E quanin Suzana. I thashë: “Suzana unë nuk punoj, dot edhe i tregova duart. Asaj i erdhi keq për mua dhe mbajtëm miqësinë, më vinte, i shkoja.
Ardit Gjebrea: Nga ishin ato?
Bedria: Ato ishin me origjinë arabe, por kishin vite në Itali.
Ardit Gjebrea: Suzana ishte me origjinë arabe?
Bedria: Po ishin arabë dhe kishin restorant në Monza. Kur shkova para restorantit, gjej të ëmën e Suzanës me karrocë edhe gocën e vogël në karrocë. Edhe i thashë: Irena, po goca? Po ka lindur Nadia, po Nadia ka ikur edhe la gocën. Mua m’u duk Ardit sikur ishte goca ime.
Ardit Gjebrea: Si ka mundësi?
Bedria: Nuk e di! Është një Zot lart. Doja ta merrja në krahë po ato nuk lejojnë fëmijët tani ti kapësh dhe i putha vetëm duart. Edhe ajo më tha mua “e kemi të vështirë për ta rritur, unë e sëmurë, Suzana ka restorantin, edhe nuk e di më tha, do ta japim në ndonjë vend që ta rrisin”. Mua m’u ngul një thikë në zemër zoti Ardit dhe ika në shtëpi.
Bedria: I thashë burrit, mbesës së Suzanës i ka ikur e ëma, e ka lënë s’ka kush ta rrisë. M’u duk sikur ndieja për atë. A ta marr? A më ndihmoni? Burri nuk më tha “jo” zoti Ardit.