Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka takuar këtë të diel nënën e të miturit që u dhunua disa javë më parë nga efektivët e policisë.
Veliu shkruan se i ka kërkuar ndjesë publike Zaida Çobos për videon e publikuar nga vetë ai gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, përmes së cilës tregonte të ëmën e të miturit, teksa shfaqej me një armë zjarri në dorë në skenat e xhirimit të një filmi. Ai theksoi se nuk kishte qëllim që të justifikonte dhunën e ushtruar nga polici.
“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj. Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes). Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë”, u shpreh Veliu.