“Isha i korruptuar? Po të isha, nuk do të vija në Itali t’i kërkoja guardia di Finanzia-s për të dyfishuar kontrollet në territor. I kam kërkuar të gjithë vendeve europiane që të na ndihmojnë për të luftuar trafikun e drogës”- kështu shprehet ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, pak ditë para se të dënohej me burg. Kjo deklaratë e tij është pjesë e një dokumentari, të quajtur “I narcos albanesi” që është zhvilluar nga një grup Italian gazetarësh në Shqipëri dhe që do të transmetohet sot në 24 shtator në “Nove”, nën rrëfimin e Nello Trocchia.
Tahiri pak ditë nga kjo intervistë, përfundoi në burg pas akuzës për abuzim të pushtetit, i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, ndërsa po ashtu ishte i akuzuar për bashkëpunimin me një grup kriminal për trafikimin e marijuanës drejt Italisë.
“Mua më kanë vënë bomat dhe në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo. Kjo e marijuanës nuk është një histori kriminelësh, por një histori varfërie”- thotë Tahiri në dokumentar, I realizuar nga Carmen Vogani, Lorenzo Giroffi dhe Marco Carta.
Tahiri qëndroi në postin e tij deri në mars të 2017-ës, teksa u bë pjesë edhe e hetimeve që u zhvilluan në Itali dhe në tetor të atij viti, u dyshua përfshirja e tij në një grup krinimal shqiptarësh e italianësh, përgjegjës për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Ish-ministri dyshohet se kishte lidhje me dy prej anëtarëve të grupit, Moisi dhe Florian Habilaj, të dy të arrestuar në Itali. Habilajt janë të afërm të Tahirit, emri i të cilit dilte disa herë në përgjimet e realizuara nga policia italiane.
Në majin e 2018-ës, ish-anëtari i Partisë Socialiste u shkarkua nga parlamenti, duke përfunduar më pas në arrest shtëpie dhe më pas i hetuar në gjendje të lirë. Dënimi i tij është cilësua skandaloz nga avokatët e Tahirit dhe pritet trajtimi i çështjes në apel .
Ndër të tjera në dokumentarin që transmetohet mbrëmjen e sotme, ish-Ministri i Brendshëm po ashtu tregon se si trafikantët i japin 5 mijë euro qytetarëve vetëm për të mbjellë marijuanën në fushat e kthyera në plantacione, para që për një shqiptar janë shumë.