Të dielën e kaluar në “Për’puthen Prime” u prezantuan konkurrentët e rinj të “Për’puthen +40”. Mes tyre ishte edhe Armando Abazi 43 vjeç, i cili tha se është me profesion arsimtar dhe se jeton prej vitesh në Itali.
Mirëpo, në media qarkulloi me shpejtësi lajmi se Abazi nuk ka jetuar jashtë sikurse u paraqit në klip dhe se nuk është arsimtar. Sikur mos të mjaftonin këto, u shkrua edhe se 43-vjeçari është divorcuar 3 herë dhe është dënuar për dhunë në familje.
Mbrëmjen e sotme, gjatë transmetimit të “Përputhen +40”, Armando ka mohuar çdo lajm. Ai ka marrë edhe dokumentin me vete për të vërtetuar se nuk ka qenë asnjëherë i martuar.
“Dua t’i hedh poshtë si një neveri e madhe dhe dashakeqe. Nuk kam asnjë lidhje me ato që shikoni e dëgjoni në rrjete sociale. Jam i padënuar, i pamartuar më parë, jam arsimtar dhe dëshmoj të kundërtën edhe në dokumentacion. Nuk kam qenë kurrë në jetën time i martuar. Nëse do isha, do të rezultoja i divorcuar në dokumente zyrtare. Jam tip gazmor, i qeshur, e marr jetën me sportivitet dhe këtë herë ka qenë rasti për tu gajasur fare”, tha Armando.