Vihet në pranga Sami Dema, një 56-vjeçar me profesion avokat në Kurbin.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi SPAK në Tiranë, më datë 09.06.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale ”Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan punën duke bërë të mundur kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit në kërkim S. D., 56 vjeç, banues në Kurbin, me profesion avokat.” – njofton policia
Në vitin 2019, policia ka referuar materialet procedurale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për këtë shtetas, pasi ky shtetas, me profesion avokat, iu merrte lekë shtetasve të ndryshëm, me qëllim për të ndikuar tek prokurori apo gjyqtari, për lehtësim të masës së dënimit.