Teknologjia tashmë po mposht gjithçka. Rritja e numrit të portaleve bëri që interesi vitet e fundit të dali nga versioni print i gazetave dhe revistave të shkoj drejt falemientit për shkak të numrit tepër të ulët të shitjeve. Organi i vetëm i shkruar i Top Media, Gazeta Shqip, këtë të Premte ka hedhur numrin e saj të fundit në treg, pas një përballje me një krizë të rëndë financiare, duke dalë nga versioni në letër e duke u drejtuar edhe ajo drejt virtualitetit.
Në një shkrim të fundit, kryeredaktori i Gazetës Shqip, Bajram Peçi, ka sjellë për lexuesit të gjitha arsyet pse kjo gazetë 11 vjeçare, vendosi të mbyllej përfundimisht, duke shënuar kështu mbylljen e parë të një organi të Top Media, ju ftojmë ta lexoni!
“Je sot numri i fundit që del i shtypur me letër! Një gazetë 11-vjeçare, që kish gjithë të drejtat të krenohej para lexuesve për historinë e saj, u mbyll. Ti, që përfaqësoje një zëdhënëse të denjë të shtypit të lirë, që orvateshe t’i thoshe pushtetit gjithnjë të vërtetën, nga nesër pushon së foluri. Askund tjetër si në gazetën “Shqip”, një redaktor gazete nuk është ndier më i lirë në raportin me të vërtetën. Shkaku për ta lënë vetëm në versionin online, që besojmë se është ekonomik, nuk do të kalojë pa lënë pasoja. Largimi i përhershëm nga bota e informacionit do të ndihet sidomos në atë shtresë të kultivuar lexuesish, që e kanë kulturë rutinore kontaktin në mëngjes me shtypin e shkruar dhe besojmë se do të mbesë e tillë, pavarësisht prurjeve të reja në sjellje, që do të vijnë nga zhvillimet e teknologjisë së komunikimit. Në dukjen e parë të krijohet përshtypja se në zinxhirin inflacionist të të përditshmeve nuk humbet gjë, por lexuesit të mos nxitohen (dhe shpresoj se nuk do ta bëjnë) të thonë se gjithçka i ndodh kësaj gazete bëhet në përshtatje me ligjet ekonomike. Themeluesi i saj, afërsisht 11 vjet përpara, kur hyri në tregun e informacionit, i kishte idetë të qarta e të kuptueshme, me të mirat dhe të këqijat e saj. Edhe në atë kohë, kur u themelua, rrallë kish ndonjë të përditshme që rezultonte me bilanc pozitiv. Ndonëse gazetat ngrihen e funksionojnë si biznes, mbajtja e tyre kish e ka një kosto. Shtypi i lirë e ka një çmim: duhet paguar për të. Dhe kështu ndodh. Përgjithësisht, asnjë prej tyre, nuk mund të mbahet në këmbë pa pasur nga mbrapa një suport financiar, që ndihmon për pagesat (edhe ashtu të mjera) të gazetarëve shqiptarë. Si e qysh ndodhi, që pas një jete kaq të ngjeshur, me profil e politika editoriale që i bënin nder shtypit e kulturës shqiptare, të mbyllet, nuk kërkon ndonjë shpjegim të gjatë?! Gjithsesi, është e domosdoshme, të thuhen disa gjëra që është e nevojshme t’i dimë:
Shtypi shqiptar kalon realitete e veçori prej të cilave burojnë shkaqe që të gjithë i kuptojnë dhe është më mirë të shqiptohen me zë të lartë.
Së pari, çmimet e shitjes së një të përditshmeje përbëjnë paradoksin më të madh. Ato janë qesharake, qëndrojnë në kufirin e shpenzimit të prodhimit në shtypshkronjë. Të tilla u shndërruan kur botues pa skrupuj e ulën çmimin në nivele që shkonin deri falas, me qëllimin që buronte nga marrëzia e tyre, “Kapja e tregut të shtypit”.
Së dyti, të ardhurat nga reklama, në vendin ku këtë treg e kanë zotëruar jo prodhimi i mallrave, por shërbimet, ndodhen në nivelin më të ulët historik.
Të tjera arsye, por jo aq themelore sa dy të parat, kanë ndikimet negative të tyre: teknologjia e prapambetur e shtypit në rrotativa që Europa i kish flakur në plehra, u instaluan në Tiranë me një aplikim të tarifave të larta të prodhimit e ku sundon monopoli; politikat fiskale, të cilat nuk janë favorizuese për shtypin, si me letrën ashtu edhe me TVSH-në; shpërndarjes së lajmit falas përmes internetit dhe rishpërndarjes nga çdo anonim që i jep vetes të drejtën të kopjojë e të rishpërndajë, ndërkohë që për gjetjen dhe publikimin e lajmit është bërë një shpenzim. Kjo praktikë ka ulur shitjet në nivele mbi pesë herë më të ulëta se dhjetë vjet më parë; së fundmi, klasa politike e sidomos qeveritë, nuk e duan shtypin. Nuk qëndron problemi se nuk e lexojnë (siç vetëdeklarohen) por se misionin e tyre për kontrollin e qeverisjes e kanë bezdi. Përballja me të vërtetën e shkruar, për ata, është e pakëndshme.
Lexo edhe: Gazeta Shqip do të botohet vetëm në fundjavë
Ndodh shpesh, në të vërtetë, që beson se nuk do të ndodhë, sepse beson më shumë te dobia e saj. Kështu besuam dhe ne në këta tre muaj agoni. Kush e njeh shtypin dhe i ka qëndruar afër, kurrë nuk ka dyshuar te forca që zotëron. Ndërsa mbyllet e dërgohet në varrezë një e përditshme informative, të tjera simotra çapiten në rrezik dhe shohin si shpëtim animin nga shtypi i kulturës tabloid, e cila nuk e ka detyrim as dinjitetin dhe as përgjegjshmërinë për të bërë gazetari. Të krijosh një shoqëri ku ekziston liria, natyrisht nuk është një detyrë e thjeshtë. Përgjigjja për ta bërë të mundur këtë gjendet edhe te kuptimi i nivelit të shtypit të lirë, që në të shumtën e rasteve harrohet. Liria nuk është e lirë pa praninë fizike të shtypit të lirë! Lamtumirë gazeta “Shqip”! Ia beh, për të gjithë ne që punuam në të, një trishtim shumë i madh. Teksa hedhim mbi të lopatën e fundit me dhè, le të shohim më tej cila do të jetë viktima e radhës.”
Te gjithe tashmë mund ta ndjekin gazetën në www.gazeta-shqip.com.
Copyright IMAlbania.com (Shkrimi i kryredaktorit eshte marre nga Gazeta Shqip)