Hulumtimet më të fundit tregojnë se heroi i famshëm Ertugrul Beu, luftëtari i madh dhe themeluesi i njërës prej perandorisë më të mëdha të kohës, ishte me origjinë shqiptare. Në këtë përfundim kanë dalë një sërë studiuesish, intelektualësh e shqiptarologësh, të cilët pohojnë se ka prova të mjaftueshme në favor të tezës. Studiues eminentë si Petro Zhizhek, Artistidh Zola, Romario Aref, Gjergjelez Thanaku, Fari Xharreta, Rremë Baze, Xan Van Guri, Mëhill Elez Alia, Mësim Spahja, Fidel Ymeri, Aqifsali Fata etj, në mënyrë të pavarur kanë arritur në të njëjtin konkluzion mbi prejardhjen etnike të heroit turk.
Sipas tyre, pjesëtarët e fisit Kaji, në origjinat e hershme i përkasin degës së pellazgëve nga Kavaja. Me pak fjalë, historia e Kajive është si linja e unazës. Në kërkim të tartufit arritën gjatë pleistocenit deri te pllaja e Gobit, për t’u zhvendosur, kohë më vonë, drejt tokave të gjyshërve (nga nëna), që ndërkohë i kishin zënë ca grekë e ca ezmerë. Arsyeja e kësaj zhvendosjeje të re nuk dihet, por mendohet se një sherr i madh kish plasur, siç tregohet nga librat e shenjtë, kur një kaji i kish ngacmuar nënën një të forti mongol (që atëherë mbeti shprehja “kaja nanën”). Pas ngritjes së Perandorisë osmane, i braktisen punët, edhe pse me rrogë tre herë më të lartë, për të ndërtuar shtet në atdhe.
Në një stacion në mes të rrugës lindi Ertugruli, çuni i Sulejmanit, i njohur edhe si shahist (që desh e mundi Kurdollu Kasparovi). Emrat janë dëshmi e origjinës pellazgo-shqiptare. Sulejman, “s’ulej mani”, pra man i papërkulshëm, trim e qëndresëtar. Po kështu edhe emri i nënës së Ertugrulit, Hajme, është tipik shqiptar, megjithëse pellazgologët janë në dilemë mes dy varianteve të emrit: a) njëri konsideron si origjinë formën foljore ‘hajmë’ (hamë), i cili tregon cilësitë e bujarisë te gruaja pellazgo-shqiptare; b) variant i dytë mbron idenë që emri vjen nga togfjalëshi “ha ime!” (ha tani! – formë dialektore e Shqipërisë së mesme). Ky emër mund t’i ketë ngelur Hajmesë nga nazet e fëmijërisë para ushqimit. Vetë emri i Ertugrulit bart rrënjën Ertu-Artu-Arta(n).
Por edhe zakonet, karakteri dhe temperamenti i personazheve të fisit Kaji dhe Ertugrulit janë krejt të ngjashme dhe identike me ato pellazgo-shqiptare. Po kështu edhe urbanistika: rrugicat mes çadrave janë me baltë, duket se ka ndërtime pa leje, Demir mekaniku punon pa kasë fiskale etj etj. Studiuesit theksojnë, ndër të tjera, se besa, nderi, fisnikëria, drejtësia dhe trimëria e shfaqur në film nga fisi Kaji janë tregues të fortë për prejardhjen tonë të përbashkët. Kjo shpjegon gjithashtu edhe faktin se përse shqiptarët kanë bërë karrierë në Perandorinë Osmane.
Më hollësisht z. Xharreta, i cili pasi u specializua në Institutin e Studimeve për Azinë Qendrore, Bezema, ushtroi aktivitetin akademik pranë universitetit Përpunim-Tjerrtorja në Gjakovë, shprehet për Foxy Lady News:
Ertugrul“Duke parë se sa trim dhe i fortë shfaqet Ertugruli në film, fillimisht më turbulloi, pasi figura e tij konfliktohej me imazhet e skalitura në kujtesë nga filmi “Skënderbeu”. E kisha të vështirë të kuptoja se si një turk të ishte aq trim, i fortë dhe i besës, të godiste me shpatë e të mbante thesin hapur, teksa kalëronte, të përballonte me dhjetëra bajlozë njëherësh. Kjo më nxiti të filloj tjerrjen studimore dhe rezultati ishte një zbulim sensacional. Ertugrul Beu rrjedh nga po ajo racë nga e cila vjen Skënder Beu. Ai ishte shqiptar, me lidhje të afërta gjaku me Heroin tonë kombëtar (Kavaja me Krujën nuk janë shumë larg dhe fillojnë me K)”.
Faktet vendimtare vijnë nga kostumografia. Z. Thanaku shpjegon që plisi mbi kryet e Ertugrulit është argument mbi prejardhjen e tij shqiptare. Pavarësisht se në një ngjyrë të zezë dhe me pelush (tek e fundit këto janë shtrembërime të qëllimshme të kinematografisë neo-otomane), ngjashmëria e kësulës të tij me plisin apo qeleshen që ende e mbajnë mbi krye shqiptarët – ata të veriut por edhe Armando Duka (megjithëse ky i vë nganjëherë edhe antenë) – është e pakundërshtueshme. “Ka një ngjashmëri të habitshme mes kësulës së heroit (me demek turk) me kësulat e personazheve homerikë, siç na tregon basorelievi i rrëmbimit të Helenës, për të cilin kam sqaruar më parë se tregon që trojanët kanë qenë pellazgo-shqiptarë”, shton profesori i nderuar. Këto zbulime pritet të ndryshojë krejtësisht rrjedhën e historiografisë botërore. Zbulimi nxjerr në dritë vjedhjen e historisë që turqit na kanë bërë për shekuj me radhë, duke na përvetësuar heronjtë.