Jemi mësuar gjithmonë ta shohim prapa kuintave të përkushtuar në maksimum në programet e saj, por këtë herë producentja e njohur e Vizion Plus, Holta Dulaku ka vendosur të jetë pjesë aktive edhe përpara objektivit të kamerave të talent show-t më të ri në Shqipëri “Tu si que Vales”.
E njohur prej vitesh për suksesin e spektaklit të vallëzimit “Dancing with the Stars”, Dulaku është gati për sfidën e rradhës që e sheh atë jo më vetëm si producente por edhe në rolin e kryetares së jurisë në talent show-n e shumë pritur “Tu si que Vales”. Ajo do të ketë përkrahë, në panelin e jurisë, aktorin e madh të humorit Agron Llakaj dhe një tjeter emër që pritet ende të zbulohet.
Talent show është ende në fazën e audicioneve dhe nga sa bëhet e ditur nga stafi organizator kërkesat e aplikuesëve kanë qenë të mëdha, për këtë arsye është shtyrë data e fillimit të transmetimit, e cila parashikohej në fillim të këtij muaji.