“Hollywood”-i po përgatitet për ceremoninë e përvitshme të “Golden Globe Awards”, që do të mbahet në edicionin e 76 në Los Angeles pas mesnatës së kësaj të diele, duke u gdhirë e hëna.
“Vice”, një biografi satirike e ish-zv.presidentit amerikan Dick Cheney, është filmi me më shumë nominime për këtë vit, plot 6 të tilla.
Por, ndjekësit më të afërt nuk janë edhe aq të papërfillshëm. “A Star is Born”, me pjesëmarrjen e Lady Gaga dhe Bradley Cooper, sikurse “The Favourite” dhe “Green Book” kanë nga 5 nominime secila.
“Mary Poppins Returns” dhe “Black Klansman” i Spike Lee kanë nga 4 nominime, duke pasuar pretendentët kryesorë. Por çfarë pritet të ndodhë në këtë ceremoni që do të nisë në 2 pas mesnate, me orën tonë?
“A Star Is Born” pritet të dominojë, jo vetëm për “aktoren më të mirë në dramë”, por ndoshta edhe “filmi më i mirë dramatik”. Pretendente gjithashtu për “aktorin më të mirë në dramë” apo “regjisorin më të mirë”, do të ishte thuajse irrituese nëse ky film nuk fiton çmim për “kolonën zanore më të mirë”, për “Shallow”.
“Vice” kryeson nominimet dhe me shumë mundësi do të fitojë një apo dy trofe, por pritet që të lihet në hije gjatë natës së sotme.
Aktorja britanike Olivia Colman do të çimentojë statusin e saj si një yll “Hollywood”-i nëse fiton çmimin e aktores më të mirë në një komedi apo muzikal, për performancën e saj të Mbretëreshës Anne në “The Favourite”, teksa rivale do të ketë Emily Blunt, e nominuar për “Rikthimin e Mary Poppins”. E nëse fiton, ajo do të ketë një mundësi më shumë në garën për “aktoren më të mirë” të çmimeve “Oscar”.
Në dy vitet e kaluara, momentet më të paharruara të “Golden Globes” nuk kanë ardhur nga fituesit e çmimeve prestigjioze, por nga fituesit e çmimit honorifik të karrierës.
Në vitin 2017, Meryl Streep shfrytëzoi fjalimin e saj me trofeun në duar, për të bërë një sulm të ashpër ndaj Donald Trumpit, teksa Oprah Winfrey u dha udhë spekulimeve se mund të garonte për presidente, në fjalimin e saj të përflaktë.
“Golden Globes” ndahet zakonisht në dy kategori: në çmimet për dramat nga njëra anë, e për komeditë apo muzikalet, nga ana tjetër.
Marre nga Top Channel