Është një histori e dashurisë që kafshët kanë për njeriun dhe që i ka bërë punonjësit e një spitali në Turqi të përloten.
Por në të njëjtën kohë, historia edhe ka provuar se ka funde të lumtura edhe në mesin e dhimbjes së një pandemie. Bëhet fjalë për historinë e një qeni, të quajtur Boncuk, që për ditë të tëra ka qëndruar para derës së spitalit ku ishte shtruar padroni i tij i sëmurë. Historia ka bërë xhiron e botës me miliona pëlqime e shikime.
Qenushi ka ndjekur pas ambulancën që transportoi të zotin e tij në spital, në qytetin Trebisonda, në Detin e zi, më 14 janar. Më pas, është kthyer çdo mëngjes për të qëndruar para derës së spitalit deri kur i zoti i tij u shërua dhe u la të kthehej në shtëpi. Ditë pas dite, nga mëngjesi deri në mesnatë, Boncuk, që në turqisht do të thotë perlëzë, ka pritur të zotin para derës së spitalit.
“Vinte çdo ditë rreth orës 9 dhe priste deri në mes të natës. Kur dyert hapeshin, fuste kokën brenda”, ka rrëfyer për agjencinë turke të lajmeve DPA, një rojë sigurie e spitalit.
Të mërkurën, qeni dhe i zoti i tij, më në fund u ribashkuan jashtë spitalit dhe u kthyen në shtëpi së bashku.