Nuk do të jetë tamponi, aq më pak mjeku që do t’ju thotë nëse jeni shëruar apo jo. Të gjithë të infektuarit me COVID-19 që ndiqen në kushte shtëpie pas 14 ditësh mund ta marrin plotësisht të mirëqenë se janë shëruar dhe paraqesin zero rrezik për të infektuar të tjerët.
Qeveria ka bërë fakt të kryer dje atë që paralajmëroi disa ditë më parë: heqjen e ritestimeve. Kështu, dje në përfundim të afatit 14- ditor janë përfshirë në listën e të shëruarve 564 qytetarë.
“Në 24 orët e fundit janë shëruar 564 qytetarë, të cilët kanë plotësuar karantinimin 14-ditor, sipas të dhënave të Operatorit Qendror të Kujdesit Shëndetësor. Ndërkohë, janë 13 453 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin që nga fillimi i epidemisë”, ka bërë të ditur Ministria. Heqja e ritestimeve, sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, është e bazuar mbi të dhëna shkencore, pasi është vënë re që personat të cilët edhe pse rezultojnë pozitivë, nuk e transmetojnë sëmundjen. “Pra, përfundimi i izolimit, i cili bazohej në ritestim bazohej në faktin që personat mund të ishin infektues. Nga studimet që janë kryer është vënë re që këta persona nuk janë më infektues, zakonisht që nga dita e 14-të mendohet që ata nuk janë më. Për grupe të caktuara të popullatës, si ato me dëmtime të imunitetit apo të tjerë, ritestimi do të vendoset në bazë të një udhëzimi”, tha doktoreshë Silva Bino.
Situata në spitalet COVID vijon të përkeqësohet, kjo edhe si rezultatet i rritjes së testeve. Ditë pas dite është regjistruar një rekord i ri rastesh të reja, për pasojë edhe urgjencat spitalore janë dyfishuar. Lidhur me rastet fatale, në 24 orët e kaluara kanë humbur betejën më sëmundjen 8 pacientë, duke e çuar në 631 numrin e personave që kanë ndërruar jetë që prej fillimit të pandemisë. “Aktualisht në 3 spitalet COVID po trajtohen 406 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 3 të intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 8 qytetarë me Sars-Cov 2 pozitivë në spitalet COVID: një 48- vjeçare, një 71-vjeçar, 74-vjeçar, një 85-vjeçar nga Tirana, një 60-vjeçar nga Mirdita, një 60- vjeçar nga Kurbini, një 63- vjeçar nga Gramshi, një 71- vjeçar nga Durrësi”, ka bërë me dije Ministria.
Tirana vijon të jetë vatra kryesore e infeksionit. Kështu, nga 602 raste të konfirmuara dje, 249 prej tyre janë vetëm në kryeqytet. “Në 24 orët e fundit, në vendin tonë janë kryer 2241 testime, prej të cilave 155 testime janë kryer për arsye depistimi. Kanë rezultuar pozitivë me virusin SARS COV 2, 602 qytetarë në 24. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 249 raste në Tiranë, 47 raste në Gjirokastër, 38 raste në Lushnjë, 30 raste në Fier, Korçë, Kavajë, 27 raste në Vlorë, 24 raste në Berat, 20 raste në Elbasan dhe Librazhd, 18 raste në Kukës, 16 raste në Përmet, 12 raste në Lezhë, 7 raste në Pukë dhe Kuçovë, 6 raste në Devoll, Mat, Dibër, 3 raste në Sarandë, 2 raste në Pogradec, 1 rast në Krujë, Tropojë, Bulqizë, Kolonjë”. Ministrja Manastirliu tha të dielën se 76 për qind e vatrave të infeksionit janë vatra familjare dhe pjesa tjetër janë institucione publike dhe private duke lënë jashtë perimetrit të rrezikut shkollat