Filmi policor britanik “Hiena”, i cili po shfaqet këto ditë në kinematë e Londrës dhe është mirëpritur nga kritika, është filmi i dytë i regjisorit të ri britanik Gerald Johnson.
E veçanta e këtij filmi është se në të luajnë disa aktorë shqiptarë. Rolin e një prej vëllezërve mafiozë Kabashi e luan Orli Shuke, i biri i aktorit të njohur tek komedia teatrale “Shi në plazh”, të ndjerit Agim Shuke.
Të tjerë janë gruaja e tij, Eri Shuke, në rolin e Nikolës, apo Xhevat Kelmendi nën petkun e vëllait tjetër Kabashi.
“Hiena”, një thriller policor, ka në fokus aktivitetin e një ekipi policor anti-drogë në Londër, i drejtuar nga detektivi Michael Logan, i cili ndërmjetëson mes mafias shqiptare dhe asaj turke për të mbyllur marrëveshjet më fitimprurëse në favor të tij.
Ai dhe ekipi i tij janë të korruptuar deri në palcë, duke shijuar intensivisht edhe vetë drogën e kapur dhe madje duke investuar edhe vetë në trafikun e drogës që sillet nga jashtë në Londër, raporton Tch.
Por aktiviteti anti-drogë i këtij ekipi komplikohet nga hyrja në skenë e një bande të re shqiptare, të drejtuar nga vëllezërit Kabashi, një brez i ri kriminelesh të dhunshëm, që nuk kursejnë asgje në metodat e tyre për kontrollimin e këtij biznesi.
Ky prodhim britanik, që trajton jetën e natës në Londër, po ngjall kureshtje të madhe tek publiku britanik, por edhe respekt tek kritikët e filmit. Për këtë film vlerësime ka pasur nga gazetat “The Guardian” apo “Independent”.
Lojën aktoriale të vëllezërve Kabashi kritika britanike e cilëson “një performancë të paharrueshme dhe jashtëzakonisht të besueshme”.
Mbase vlerësimi më i lartë për këtë film vjen nga një regjisor i mirënjohur britanik, i cili thotë: “E kam parë të ardhmen e filmave të krimit dhe ajo është ‘Hiena’”.
“Hiena” hapi festivalin e filmit në Edinburg dhe mori pjesë në atë të Torontos, ndërkohë që ka marrë çmimin si filmi më i mirë në një një festival në Spanjë. Ne prill ai shkon në Fetsivalin e Filmit në Nju Jork.
Trailer zyrtar
Per me shume informacion: http://www.imdb.com/title/tt1837574/
Marre nga Dita