Arjan Sala, heroi që u sakrifkua për të shpëtuar jetën e personave që ndodheshin brenda magazinës që u përfshi nga flakët, është përcjellë për në banesën e fundit.
Në pamjet e mëposhtme, të publikuara nga JOQ Albania, shihet vargu i makinave që ecën qetësisht për të dërguar Salën në shtëpinë ku do të prehet përgjithmonë.
Zjarri në magazinë nisi pasditen e së mërkurës rreth orës 15:00 tek Casa Italia. Sipas dëshmitarëve, Sala ka shpëtuar rreth 20 punonjës të tjerë, ndërsa vetë u nxorr i pajetë gjatë orëve të natës. Ndërkohë që ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit në magazinë, por paraprakisht raportohet se një defekt elektrik mund të ketë bërë të mundur aktivizimin e flakëve.
Do të jetë grupi hetimor, ai që do të zbulojë gjithë dinamikën e ngjarjeve tek godina në hyrje të Tiranës. Sot, zëvendës ministri i mbrojtjes njoftoi nisjen e procesit për shpalljen “Dëshmor të Atdheut” të Arjanit që sakrifikoi jetën e tij për të tjerët.