Ndërsa lista e lamtumirave po rritet nga sezon në sezon, Ellen Pompeo konfirmohet si një nga veteranet e cast-it të Grey’s Anatomy. Aktorja, kontrata e se cilës përfundoi muajin e shkuar, ka firmosur serisht për rolin e Doktoreshës Meredith Grey në sezonin e ardhshëm, i 13-ti i serialit të suksesshëm të Shonda Rhimes.
Sipas Deadline, falë marrëveshjes së re Pompeo do të paguhet me 300,000 dollarë për episodi, duke u bërë kështu një nga aktoret më të paguara të televizionit amerikan. Kjo edhe falë suksesit të vazhdueshëm të Grey’s Anatomy, këtë vit seriali i katërt më i ndjekur pas Empire, The Big Bang Theory dhe X-Files.
Rinovimi i kontratës së Pompeo vjen pas asaj të Justin Chambers (Alex), ndërsa nuk është arritur akoma një marrëveshje me Chandra Wilson (Miranda), James Pickens Jr. (Richard) dhe Kevin McKidd (Owen). Sikurse dihet tashmë, Sara Ramirez (Callie) u tërhoq ditë më parë nga seriali.