Greqia nuk e fsheh shqetësimin nga rritja serioze e ditëve të fundit e rasteve me koronavirus në Shqipëri. Vendi fqinj thotë se deri më 1 korrik kufijtë tokësorë dhe ata ajrorë planifikohet të qëndrojnë hapur për Tiranën vetëm për arsye specifike ose biznesi. Vendimi mund të rishikohet nëse epidemia në Shqipëri do të avancojë.
Shpërthimi i infeksionit të kovidit në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ditët e fundit ka detyruar Greqinë të shtyjë planet për rihapjen e kufijve tokësorë në veri.
Ministri grek i Turizmit konfirmoi se duke parë zhvillimet me epideminë me shtetet fqinje, do vlerësohet situata para rinisjes së udhëtimeve për turistët ballkanas.
Të hënën, në 14 pikat kufitare të Greqisë u lejuan të kalonin vetëm automjetet nga Bullgaria.
Ndërkohë të martën, situata me kovidin u përkeqësua në Maqedoninë e Veriut me 103 raste të reja dhe në Shqipëri, 82 raste të reja brenda një dite.
Sipas ministrit grek, fluturimet nga Shqipëria drejt Athinës do lejohen gjatë këtyre dy javëve vetëm për qëllime specifike dhe janë ndaluar ato drejt aeroportit të Selanikut, ndërsa kufijtë tokësorë deri më 30 qershor do operojnë vetëm për udhëtimet për qëllime biznesi.
Në varësi të situatës me epideminë në Shqipëri, kufiri jugor me Greqinë planifikohet të rihapet me Kakavijën nga 1 korriku.
Greqia një ditë më parë rinisi shumicën e fluturimeve ndërkombëtare me qëllimin për të shpëtuar industrinë e vet turistike.
E marta shënoi edhe një herë udhëtimin pa pengesa nga Italia drejt Austrisë, që i jep fund izolimit tokësor disamujor të cilin dy fqinjët europianë aplikuan si mbrojtje ndaj pandemisë.
Pak minuta pas mesnatës nisën kalimet e para drejt qytezës kufitare të Brenerit në Austri.
Për qytetarët italianë, kalimi u krye pa probleme megjithëse disa penalizime qëndrojnë në fuqi për banorët e epiqendrës italiane të epidemisë, në rajonin e Lombardisë.
Fluksi i hyrjeve u mirëprit nga pronarët e bizneseve austriake, duke qenë se italianët janë ndër kontributorët kryesorë për turizmin në vend.
“Heqja e kontrolleve në kufi është lehtësim i madh, pasi me radhët e gjata të trafikut nuk kishim fare klientë. Kjo është ndërtesa e fundit para kufirit austriak por qëndruam mbyllur për tre muaj. Edhe po ta hapja muajin e kaluar, nuk do kishte kuptim pa klientë.”
“Na është hequr një peshë e rëndë nga shpatullat, një gur i rëndë nga zemrat, sepse kohët që kaluam ishin më të errëtat. Askush nuk lejohej të vinte nga Italia edhe pse na ndajnë vetëm 50 metra.”
Austria të martën rihapi kufijtë edhe me anëtarët e tjerë të Zonës Shengen, hap që një ditë më parë e hodhën edhe shumica e vendeve të Bashkimit Europian për udhëtimet brenda unionit.
Në Francë, ndërkaq, vazhdon të aplikohet karantina vullnetare për udhëtarët nga Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar; në Sllovaki aktualisht nuk lejohet hyrja e shtetasve të huaj përveç atyre nga Sllovenia dhe Kroacia.
Mbretëria e Bashkuar nga 8 qershori zbaton karantinën e detyrueshme dyjavore për çdo të ardhur ndërkohë që qeveria atje vazhdon të mos i rekomandojë udhëtimet jashtë vendit.
Norvegjia ka rihapur kufijtë me Danimarkën dhe Finlandën por Suedia mbetet e izoluar për shkak të nivelit të lartë të infektimit dhe vdekshmërisë nga epidemia e koronavirusit.
Ne Shqiperi sot jane shenuar 82 raste, ndersa kete jave ka pasur një numër të madh të infektuarish