Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në një fjalim gjatë seancës parlamentare, foli për diskutimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që Greqia arriti me Italinë dhe Egjiptin për Zonat Eksluzive Ekonomike mes tyre.
Ai u shpreh:
“Unë njoftoj sot se menjëherë, me një projektligj që ne i paraqesim Parlamentit, Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në Perëndim nga 6 në 12 milje! Greqia po rritet. Të tjerët e kanë thënë vetëm si një premtim, por ne e kemi zbatuar atë në praktikë. Ne vazhdojmë kështu posaçërisht për zonën e ishujve në detin Jon – konkretisht nga deti Jon deri në Tainaros – në ushtrimin e të drejtës sonë sovrane të padiskutueshme, në përputhje me nenin 3, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS); një e drejtë kjo, të cilën vendi ynë e rezervon ta ushtrojë në të ardhmen në zona të tjera detare, si dhe zbatimin e vijës së mesme ku distanca midis brigjeve është më pak se 24 milje.”
Edhe Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka deklaruar se shumë shpejt Greqia do të ketë mundësinë për të zgjeruar territoret e saj dhe se për këtë do të ketë njoftime zyrtare të qeverisë.
Pas këtij lajmi, zv.Kryeministri, Erion Braçe, është shprehur në një postim në Instagram:
“Qetësohuni!
Histeria nuk është fuqia jonë,
është dobësia jonë!
Po u drejtohem ju të gjithëve që keni mësyrë prej orësh në inbox këtu, Facebook, Whatsapp;
QETËSOHUNI!
NUK NA KA PUSHTUAR KUSH E AS PO NA RRËMBEN KUSH TOKË, DET!
Nuk u jam përgjigjur deri tani se isha në punë, në zonë, me njerëzit,
pra, as më ka ikur mendja e as më është mekur zëri!
Por edhe sepse nuk dua të ushqej histerinë që na zë e bën tapë në të tilla raste!
Toka, deti e gjithçka tjetër që zoti na fali në këto anë e që ligjet ndërkombëtare e kombëtare na garantojnë,
nuk i mbron histeria, por dija, qetësia, qartësia, ligji, pasioni dhe dashuria për çdo centimetër tokë e det të këtij vendi!
Nuk ka kush kohë e dëshirë t’i japë zë asaj që është e padobishme;
Tani na duhet bashkim, unitet,
as akuza e as gjyq banal pa prova e fakte që bëjnë copash, përçajnë këtë vend e këtë popull!
Kështu që qetësohuni e kujtoni se si kohë më parë ra si antikushtetuese një marrëveshje e një pushteti të degraduar;
Me qetësi, qartësi e mbështetur fort në ligj!
Jemi po të njëjtët!”
Ndërkohë që Kryeministri, Edi Rama, në replika me komentuesit shkruan:
“… Ruhu nga gënjeshtrat e mëdha…”
Burimi: Top Channel, Gazeta Liberale, TRT