Pas një procedure prej më shumë se 66 orësh ka përfunduar tenderi publik i shpallur nga qeveria greke për dhënien e 4 licencave të televizioneve kombëtare përkundrejt një shume surprizë prej 246 milionë euro, që shkon e gjitha në arkat e shtetit.
Përfundimisht, 4 nga 8 kompanitë rivale pjesëmarrëse në tender për lejen e një televizioni kombëtar janë:
1- Kompania e biznesmenit Jannis Alafouzos, që drejton kanalin e sotëm televiziv SKAI dhe zotëron shumicën e aksioneve të gazetës Kathimerini, i cili ka siguruar lejen e parë përkundrejt shumës prej 43.6 milionë euro.
2- Kompania e një biznesmeni tjetër vendas në fushën e ndërtimeve, Christos Kalogritsas, i cili ka dhënë për lincencën 52,6 milionë euro.
3- Grupi mediatik Ant1 i Minos Kiriakou, i cili ka paguar në procesin e ankandit 75.9 milionë euro.
4- Kompania Alter Ego, në pronësi te manjatit grek, pronar anijesh dhe president i klubit të Olimpiakosit, Evangjelos Marinakis, i cili ka dhënë 73,9 milionë euro.
Duke ju përgjigjur kritikave se qeveria Syriza me anë të këtij procesi kërkon të vendosë kontroll mbi mediat, zëdhënësja e qeverisë, Olga Gjerovasili ka përsëritur se në këtë mënyrë “luftojmë të ashtuquajturin trekëndesh të korrupsionit”, lidhjet ndërmjet mediave, politikës dhe bankave.
Për herë të parë në historinë e vendit, ka thënë ajo, pas 27 vjet amullie me kanale private që nuk dispononin asnjë leje dhe i detyrohen shtetit mbi 200 milionë euro dhe bankave rreth 800 milionë të tjera, vendosen rregullat për përdorimin e frekuencave televizive në interes të vendit dhe qytetarëve.
Marre nga Top Channel