Fakti se këngëtari serb, Goran Bregovic do të jetë i ftuari special për të kënduar këtë vit në Festën e Birrës në Korçë solli revoltë te shumë artistë shqiptarë.
Fillimisht ishte Vesa Luma ajo që reagoi e shokuar dhe më pas të tjerë të famshëm dolën kundër kësaj ftese.
Ardhja e tij në Shqipëri nuk u prit aspak mirë, sepse Bregovic është konsideruar si frymëzues e idhull i ushtrisë vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë sidomos me këngën “Kalashnikov”.
Së fundmi, një reagim për këtë ka dhënë edhe Capital T, i cili nëpërmjet një njoftimi për fansat e tij,ka treguar se ishte i ftuar për hapjen e eventit të këtij festivali, por me lajmin e ardhjes së Bregovic-it ai është detyryar që të anulojë përformancën e tij.
“E ndjeva të rrugës që të reagoja për eventin e festës së birrës në Korçë për faktin se unë isha i ftuar për të bërë hapjen e atij evenimenti dhe realisht isha shumë i lumtur që të jem aty, afër njerëzve që e duan muzikën time edhe e duan prezencën time aty, por kur pashë se një artist serb siç është Goran Bregovic, prej të cilit janë inspiruar forcat serbe dhe kanë kënduar këngët e tij gjatë luftës në Kosovë, atëherë u detyrova që të anuloja performancën time. Iu kërkoj falje të gjithëve!
I bëj thirrje bashkisë së Korçës, absolutisht që të anulojë prezencën e tij në Shqipëri për faktin se konflikti Kosovë-Serbi është ende i hapur edhe nuk i takon asaj si institucion shtetëror që të sjellë një artist serb këtu në Shqipëri”, është shprehur Capital T.