Gjigandi “Google” është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për faktin që nuk ka përfshirë gjuhën shqipe në gjuhët e mbështetura nga ai.
Padia është ngritur nga Haki Dervishi, shtetas shqiptaro-amerikan me banim në Palm Springs, Kaliforni dhe Dr. Neshad Asllani, mjek i njohur nga Kosova, themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në New York.
Në padi thuhet se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platforma të njohura si Google Ads apo Google Adsense.
Paditësit kërkojnë që Google të shtojë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare të mbështetur nga Google. Një gjë e tillë do të sjellë risi të mëtejshme të teknologjisë informative duke krijuar mundësi reale për zhvillim ekonomik, marketing dhe informim cilësor duke iu mundësuar gazetarëve të bëjnë punën e tyre edhe më mirë.