Australia nuk heq dorë nga vendimi për të detyruar me ligj kompanitë e mëdha të teknologjisë, që të paguajnë mediat për përmbajtjen e tyre të lajmeve. Në kundërpërgjigje, Google ka kërcënuar se do të heqë motorin e kërkimit në këtë vend por kryeministri Scott Morrison deklaroi se ligjvënësit nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve.
Megjithëse Australia është larg tregut më të madh të Google, kodi i propozuar i lajmeve shihet si një rast i mundshëm testimi global për mënyrën se si qeveritë mund të kërkojnë të rregullojnë raportin me firmat e mëdha të teknologjisë.
Drejtori menaxhues i Google Australia, Mel Silva tha në një seancë dëgjimore në Senat këtë të premte, se ligjet ishin të pazbatueshme.
“Nëse ky version i kodit do të bëhej ligj, nuk do të na jepte zgjidhje tjetër përveçse të ndalojmë vënien në dispozicion të Google Search në Australi” tha ajo.
Google është motori dominant i kërkimit në Australi dhe është përshkruar nga qeveria si një ndërmarrje gati thelbësore me pak konkurrencë në treg dhe për shkak se platformat e teknologjisë fitojnë klientë nga njerëzit që duan të lexojnë lajmet, ata duhet t’i paguajnë redaksive një shumë të drejtë për gazetarinë e tyre.
Media e shkruar Australiane ka parë një rënie prej 75% të të ardhurave nga reklamat që nga viti 2005.
Një ditë më parë, Google arriti një marrëveshje me botuesit francezë të ngjashëm me atë që po shqyrtohej në Australi, në të cilën ra dakord të paguante agjencitë e medias mbi përmbajtjen e tyre, pavarësisht një përpjekje lobimi disa mujore kundër marrëveshjes.