Lavdia e Britney Spears vjen pas 20 viteve karrierë…
9,52 / 10.00
Karriera e Britney Spears mund të jetë e mbushur me ngjitje dhe zbritje nëpër shkallët e famës shkatërruese të një ylli të pop-it të kthyer në një sensacion shfrytëzues nga forca shkatërruese e medias dhe paparacëve, por ky sensacion i pop-it vjen sërish për të na kujtuar se ka akoma për të dhënë edhe pas 20 viteve të një karriere të pashterueshmë në botën dhe biznesin e muzikës. Spears ndërkohë performon pothuajse çdo natë në koncertin e saj në Las Vegas të quajtur “Piece of Me” ku fansa nga e gjithe bota mblidhen për të shijuar muzikën më të re dhe atë me të cilën ranë në dashuri me këtë këngëtare. Vetëm dje, Spears mbushi 3 vite në rezidencën e saj koncertale në Planet Hollywood ku ka performuar vetëm 100 shfaqe këtê vit dhe rreth 200 të tjera në total.
E gjithë kjo punë duket se po e mban atë të okupuar dhe në gjendje të mirë larg kujtimeve jo aq të largëta si ato të 2007, ku Britney shfaqej larg formës së saj reale dhe pa asnjë lloj dëshire për muzikën, ndjenjë , në fakt, të cilen e ka patur të vështirë ta rikthejë që prej atij viti; dhe ndonëse është munduar me albumet shumë të suksesshme që rrodhën si: “Blackout”, “Circus” apo “Femme Fatale”, në albumin e saj më të fundit “Britney Jean”, Spears tregoi se me të vërtetë nuk i kishte ngelur më asnjë interes për botën e muzikës dhe thjesht komandohej nga ekzekutivë të shtëpisë diskografike ku ajo herë shkruante disa këngë dhe ishte e detyruar t’i këndonte në studio. Pra, dëshira e Britney-t kishte humbur, dhe çudia më e madhe vjen pikërisht tani; kur askush nuk do të priste një riangazhim të pastër dhe një fillim të ri, sikur Britney të donte të fshinte vitin 2013 nga diskografia e saj. “Glory”, albumi i saj që do të lançohet të premten premton shumë më shumë se sa pritej nga Spears. Ky album është lavdia që i shtohet mozaikut të albumeve klasikë që do të jetojnë përgjithmonë në diskografitë e artistëve që tashmë nuk i duhet më suksesi sepse janë ngopur me të, por edhe sepse e kanë arritur dikur dhe tashmë nuk i bën përshtypje edhe mëdyshjen më të vogël për mundim.
Britney gjatë vitit 2016
E vërteta është se “Glory” është albumi më i mirë i Spears që prej vitit 2003 kur ajo lançoi “In the Zone” që ishte një prej punëve të saj më të pëlqyera dhe ku ajo me të vërtetë kishte punuar me duart, zërin dhe me idetë e saja. Albumet që pasuan nuk ishin të njëjta; ndonëse patën shumë herë më shumë sukses, Britney nuk angazhohej më aq shumë në shkrimin e teksteve apo edhe në krijimin e muzikës për këngët e saj, dhe kjo ndodhi për të favorizuar produksionet elektronike dhe EDM si ato në “Blackout” dhe “Scream and Shout” që publiku gjeneral po i pëlqente më shumë se këngët personale të Spears. 2016 është viti ku Britney Spears rikthehet me veçantinë e saj kundrejt publikut gjeneral, me zërin e saj aq të dobët po aq sa unik dhe këtë herë natyral, për të sfiduar imazhin gjenerik që shumë njerez e njohin të jetë dhe për t’i ofruar diçka tepër të veçantë muzikës; një album krejt të sajin, të punuar nga vetë ajo dhe më origjinalin prej tashmë 12 vitesh.
Sot e kësaj dite Spears ka shitur rreth 200 milion albume në të gjithë botën dhe me të vërtetë që nuk ka pse e vërteton më fuqinë blerëse me të cilën përballet, por “Glory” ka shanse të mira për të debutuar me shitje goxha të larta javën që vjen, por edhe në qoftë se nuk ndodh, kjo gjë nuk e ndryshon cilësinë e këtij albumi. Sot, Britney nuk promovon më punën e saj ashtu siç bënte dikur në vitet 2000 dhe në fillim të 2010, sepse ajo vitet e fundit mbështetet te fansat dhe te publiku i saj për promovime albumesh, gjë që rezuloti e gabuar me albumin e fundit “Britney Jean” i cili shiti vetëm 110 mijë kopje vetëm javën e parë në Amerikë. Pikërisht kjo, duhet ta bëjë skuadrën e saj të rimendojë efektin e promovimit sepse fundja çdo artist në treg ka nevojë për të, edhe Britney Spears pas 20 viteve karrierë ka nevojë për pak promovim.
Kjo erë e re në karrierën e Spears nuk erdhi pa polemika gjithësesi. Shumë fansa kontestuan kopertinën e albumit duke shpallur peticione kundrejt shtëpisë diskografikë RCA për ta ndërruar atë në favor të një kopertine tjetër, gjë që nuk ndodhi. Singëlli i parë “Make Me…” me G-Eazy gjithashtu pati disa probleme përsa i përket audiencave dhe videoklipit që supozohej të ishte, por që nuk qe kurrë. David LaChapelle, që pati drejtuar dhe klipin e “Everytime” në 2004 nga Britney, iu besua e njëjta detyre dhe me këngën “Make Me…” dhe xhirimet për klipin filluan nga data 2 qershor dhe mbaruan rreth datës 10 qershor rreth 1 muaj para se singëlli të lançohej zyrtarisht. Fragmente të klipit të drejtuar nga LaChapelle filluan të dilnin në internet para datës 1 korrik gjë që filloi të ndërtonte goxha montaturë rreth klipit i cili u pëlqye shumë edhe prej faktit se Britney dilte lakuriq në disa skena. Në fakt “Make Me…” supozohej të ishte lançuar akoma më herët por Spears nuk kishte më klipin për këngën pasi i gjithë plani dhe projekti i LaChapelle u hodh në plehëra pasi ishte filmuar sepse sponsorat nuk ishin të kënaqur me të. Britney-t iu desh të filmonte një klip tjetër në ditën që u lançua dhe kënga “Make Me…” që përfundoi të ishte klipi që kemi sot në YouTube për këngën dhe në të njëjtën kohë një klip që lë shumë për të dëshiruar sidomos duke marrë parasysh faktin që Spears shquhet për videoklipet e saj dhe ato e shtyjnë atë si artiste.
Gjithsesi, duke marrë parasysh faktin që “Glory” lançohet pas 20 viteve karrierë për Spears, ky album është më i mirë se shumica prej nesh mund të presin. Britney tregon se është një luftëtare kur vjen puna te muzika e saj. Ajo u shkatërrua nga media dhe është rikthyer përsëri e përsëri, dhe kësaj rradhe njëherë e mirë. Jo të gjihë e duan muzikën e saj ose e pëlqejnë zerin e saj. Të gjithë ne duam ta shohim në një gjëndje të mirë duke triumfuar. Dhe në 2016, çfarë mund të na bashkojë më mirë se kaq?