Juria ka përzgjedhur 14 gjysmëfinalistët, që me gjykimin e saj mendon se janë më të mirët nga 62 këngëtarët, balerinët dhe instrumentistët në muzikën klasike që konkurruan në spektaklin “Virtuozët”.
E Diela në mbrëmje do t’i vejë sërish në garë mes njëri-tjetrit në kanto, balet dhe instrument dhe nën kritikën e tre artistëve, Mirjam Tola, Genc Tukiçi dhe Anbeta Toromani. Për Inva Mulën, sopranon drejtore artistike në këtë spektakël, kriteri i përzgjedhjes ashtu si edhe në mbrëmjet e kaluara do të jetë emocioni që artistët e së ardhmes do të përcjellin te publiku.
Në gjithë këtë konkurrim, në një spektakël të parë talentesh në muzikën klasike në ekranet shqiptare, ajo që vlerësohet si e çmuar është mundësia e dhënë këtyre të rinjve për t’u ngjitur në një skenë të madhe si “Virtuozët”, për të matur forcat e tyre, për të përballuar emocionet dhe për të kuptuar se në cilën fazë të zhvillimit artistik dhe profesional janë.
Për gjysmëfinalen, produksioni ka menduar të ftuar si gjithnjë shqiptarë të vlerësuar për talentin, profesionalizmin e tyre në skenat e huaja ku ata zhvillojnë artin e tyre.
20 e 05 është takimi me “Virtuozët” në ekranin e Televizionit Klan, nga teatri i talenteve në kanto, balet dhe instrument.
Tv Klan