Gjykatësja Teuta Hoxha paditet në prokurori për falsifikim nga pronarët e Top Channel. Përfaqësuesit ligjorë të dy aksionerëve kryesorë të kanalit më të madh në vend, kanë depozituar një kallëzim në organin e akuzës, ndaj gjykatëses Hoxha pas një vendimi të marrë prej saj në seancën e datës 5 shkurt, i cili konsiderohet i jashtëligjshëm dhe i falsifikuar.
Ndërkohë burime të prokurorisë thanë se kjo çështje merr një rëndësi të veçantë duke pasur parasysh në radhë të parë valën e shtuar të presionit ndërkombëtar për hetim të gjykatësve të korruptuar nga njëra anë dhe nga ana tjetër precedentin që lidhet me një rast të vitit 2013 kur po kjo gjykatëse ishte në prag të shkarkimit për shkak të një afere tjetërsimi pronash.
Ky hap shënon një përshkallëzim të mëtejshëm në përplasjen ligjore mes dy palëve që synojnë të marrin kontrollin e televizionit të fuqishëm në vend. Mosmarrëveshjet e forta lindën pas padisë së ngritur në gjykatë në janar nga Vjollca Hoxha, mbartëse e 8% të aksioneve në Top Channel ndaj Albert Sinos
titullar i 40% të aksioneve dhe Aurel Baçit me 20%. Vjollca Hoxha hapi një çështje gjyqësore ndaj dy aksionerëve që zotërojnë shumicën e aksioneve, duke pretenduar se kontrata me anë të së cilës bashkëshorti i saj i ndjerë Dritan Hoxha u kishte shitur atyre aksionet, ishte e paligjshme. Pala e aksionerëve të shumicës, të cilët prej 9 vjetësh kanë qenë mbajtësit kryesorë të peshës së financimit të Top Channel, thërrasin në ndihmë ligjin për mediat i cili e ndalon kalimin e shumicës së aksioneve të një kanali televiziv në një dorë të vetme.
Nga ana tjetër ata shtojnë se Vjollca Hoxha e cila pas problemeve në kompanitë e tjera që administron, kërkon të shtijë në dorë financat e kanalit të ngritur nga bashkëshorti i saj i ndjerë, në të vërtetë po e akuzon këtë të fundit si shkelës ligji. Më 5 shkurt, teksa palët kishin rreth një muaj që mundoheshin të binin dakord për emrin e gjyqtarit që do të trajtonte çështjen e tyre, gjykata ka caktuar Teuta Hoxhën. Kjo e fundit, ka pritur vetëm pak minuta nga caktimi i emrit të saj, për të zhvilluar një seancë fantazmë, pretendojnë pronarët mazhoritarë në Top Channel, me anë të së cilës i jepte të drejtën e administrimit të kanalit për fazën kalimtare, Vjollca Hoxhës me 8% të aksioneve.
Seanca nuk ka qenë e pasqyruar në kalendarin e gjykatës, vazhdojnë pretendimet dhe gjyqtarja nuk e ka dëgjuar palën e paditur, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante një nga rregullat bazë të drejtësisë. Prokuroria ka në dorë një dosje të plotë me të gjitha shkeljet ligjore të gjyqtares Hoxha, në një çështje implikimet e së cilës duket se nuk do të pëfundojnë këtu.
Marre nga CityNews