Përpjekja e radhës e Donald Trump për të rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 Nëntorit ka shkuar dëm.
Një Gjykatë federale e Apelit në Shtetet e Bashkuara ka hedhur poshtë kërkesën e Presidentit në detyrë për mos shpalljen fitues të Joe Biden në Pensilvani.
Në dosjen ligjore të dorëzuar nga ekipi i Trump kërkohej ndërprerja e certifikimit të rezultateve me pretendimin se zyrtarët zgjedhorë në këtë shtet kishin trajtuar votimet me postë në mënyrë të parregullt.
Por sipas panelit të përbërë nga tre gjyqtarë argumentet për të vërtetuar akuzën e republikanit ishin të pabaza dhe se nuk kishte prova të mjaftueshme.
Avokatja e fushatës së Donald Trump, Jenna Ellis, u shpreh se makineria gjyqësore aktiviste në Pensilvani vazhdon të mbulojë akuzat për mashtrim masiv dhe se lufta e tyre do të vijojë në gjykatën e Lartë.
Vetë Trump deklaroi një ditë më parë se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Biden fiton në kolegj, por nuk do të tërhiqet nga beteja ligjore.