Programi “Hell’s Kitchen” është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, si zakonisht, siç ndodh përherë me programet ku bërtitet me një zhurmë më shumë se 80 decibel. Vetë formati i programit është i ndërtuar duke pasur në qendër një shef-djall, të cilit nuk pëlqen zakonisht asnjë gatim, ushtron presion mbi konkurrentët dhe kërkon që çdo detaj të jetë i përsosur dhe në kohë për klientet. Bukur deri këtu. Tani kalojmë te gjuha e shëmtuar dhe bullizuese.
Në episodin e fundit të programit, Renato Mekolli kritikon një prej konkurrenteve sepse gjeti fara limoni dhe portokalli në pjatë. “Ku janë detajet? O qorre! Ku janë detajet,” i thotë ai një vajze me syze. “Nuk e pe ti? Po normale, as me syze nuk shikon. Imagjino të mos kishe syze,” vazhdon ai, përpara se vajza të shpërthejë në lot dhe të thotë se “pika e dobët e saj janë sytë, sepse ka pasur një gjysh të verbër”.
Një gjuhë e tillë – e cila siç duket nuk iu duk shqetësuese as shefit, as stafit të montazhit dhe as produksionit – nuk kaloi pa u kritikuar nga ndjekësit në internet.
“Është turp të ofendosh dikë me syze”, “Nuk ka mundësi që të tolerohet ky lloj ofendimi, sidomos në tv ku shikojnë grupmosha të ndryshme”, “Pa pikë kulture”, “Oh Zot, çfarë ofendimi. Edukimi dhe etika 0”, “Nuk mund të bullizosh dikë thjesht sepse ka syze. Nuk mund ta besoj që është ende në televizion. Mendoj që Shqipëria e mbështet këtë sjellje”, “Mund të gjykosh ushqimin jam dakord, por [s’mund të thuash] qorre. Hajde emision hajde. Vetëm kulture tregon” janë disa prej qindra komenteve online.
“Qorre” dhe “as me syze nuk shikon” janë fraza (që dënohen nga Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi) të cilat përdoren për të bullizuar personat e verbër, ata që kanë syze si edhe personat që për arsye të ndryshme shfaqin probleme me shikimin. Transmetimi i një gjuhe të tillë në televizion supozohet të ndalohet nga Kodi i Transmetimit të miratuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, i cili mbështetet edhe te Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”. Diskriminimi është çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë me bazë, ndër të tjera, gjendjen shëndetësore dhe nevojat e veçanta të dikujt.
Një ofendim i tillë ngre shqetësimin për gjuhën e përdorur në ekran, në këtë rast në kundërshtim me të gjitha rregulloret dhe ligjet në fuqi.