Një punonjëse në televizionin shtetëror rus Channel One ka ndërprerë programin kryesor të lajmeve me një protestë të jashtëzakonshme kundër pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin.
Marina Ovsyannikova, një redaktore në Channel One, u shfaq gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të lajmeve të natës të hënën në mbrëmje, duke bërtitur: “Ndalo luftën. Jo luftë.” Ajo gjithashtu mbante një tabelë ku thuhej: “Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë.” Gjithashtu shkruhej edhe: “Rusët kundër luftës”.
Prezantuesja e lajmeve vazhdoi të lexonte duke folur me zë të lartë që Marina të mos dëgjohej, por protesta e saj mund të shihej dhe dëgjohej për disa sekonda përpara se kanali të kalonte në një segment të regjistruar.
“Fatkeqësisht, për disa vite kam punuar në Channel One dhe kam punuar në propagandën e Kremlinit, më vjen shumë turp për këtë tani. Turp që më lejuan të tregoja gënjeshtra nga ekrani i televizionit. Më vjen turp që lejova zombifikimin e popullit rus. Ne heshtëm në 2014 kur kjo sapo kishte filluar. Ne nuk dolëm për të protestuar kur Kremlini helmoi [liderin e opozitës Alexei] Navalny,” tha ajo. “Ne thjesht po e shohim në heshtje këtë regjim antinjerëzor. Dhe tani e gjithë bota është larguar nga ne dhe 10 brezat e ardhshëm nuk do të mund të pastrohen nga turpi i kësaj lufte vëllavrasëse”.
Ajo u bëri thirrje rusëve që t’i bashkohen protestave kundër luftës në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit. “Vetëm ne kemi fuqinë për të ndaluar gjithë këtë çmenduri. Shkoni në protesta. Mos kini frikë nga asgjë. Ata nuk mund të na burgosin të gjithëve.”
Protesta u vlerësua nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Në një fjalim video të hënën mbrëma ai tha: “Unë jam mirënjohës për ata rusë që nuk ndalen së përpjekuri për të dhënë të vërtetën, të cilët po luftojnë kundër keqinformimeve dhe u tregojnë fakte të vërteta miqve dhe familjeve të tyre dhe personalisht asaj gruaje që shkoi në studion e Channel One me një poster kundër luftës.”
Ovsyannikova u arrestua menjëherë pas protestës së saj. Ajo mund të përballet me burgim sipas një legjislacioni të ri rus që kriminalizon përhapjen e të ashtuquajturave “lajme të rreme” për ushtrinë ruse. Ata që shpallen fajtorë sipas ligjit mund të përballen me 15 vjet burg. Marina gjithashtu mund të përballet me pasoja ligjore për inkurajimin e “trazirave civile” duke u thënë rusëve të protestojnë.
Deklarata e saj shënon herën e parë që një punonjës i medias shtetërore ruse ka denoncuar publikisht luftën. Aq e rreptë është censura nëpër media saqë programet e tjera të lajmeve e fshinë mesazhin në tabelën e Ovsyannikova në raportimet për incidentin.
Që nga fillimi i luftës, Rusia ka nisur një goditje të paprecedentë ndaj protestuesve, mediave të pavarura të lajmeve dhe rrjeteve sociale. Gati 15,000 njerëz, duke përfshirë fëmijë dhe të moshuar janë arrestuar nëpër protesta kundër luftës.
Me mijëra njerëz vlerësuan veprimin e redaktores. “Ti je një heroinë,” shkruhet në faqen në Instagram.
Edgars Rinkevics, ministri i jashtëm i Letonisë, tha në Twitter: “Ndërsa ka njerëz të guximshëm si Marina Ovsyanikova që protestojnë kundër luftës dhe propagandës ruse sonte ose protestues në rrugë, Rusia ka ende një shans për një të ardhme më të mirë.”