Gjendet arma që bllokon koronavirusin. Quhet 13b dhe është një molekulë që lidh dhe bllokon një enzimë që shfrytëzohet nga virusi për t’u shumuar në brendësi të qelizave të infektuara njerëzore. Është testuar në laborator mbi qeliza të mushkërive të infektuara nga koronavirus dhe molekula është aktivizuar menjëherë. Është eksperimentuar edhe mbi kaviet dhe ka rezultuar se nuk është toksike dhe që mund të merret edhe nga goja, jo vetëm me injeksion.
Studimi është kryer nga Universiteti gjerman i Lubeck që ndërkohë ka nisur punën për ta transformuar molekulën 13b në një medikament të mirëfilltë dhe është publikuar në revistën ndërkombëtare Science. Problem është që do duhet shumë kohë që kjo gjë të realizohet dhe të jetë i disponueshëm, ndërkohë që bota është në luftë me koronavirusin dhe mbi të gjitha me kohën.
Gjithsesi shkencëtarët thonë se zbulimi është mjaft i rëndësishëm sepse duke u zgjeruar njohuritë mbi këtë virus misterioz, bëhet më e thjeshtë rruga për të krijuar ilaçe kundër Covid-19, pasi më në fund njihet struktura e tij.
Për të fotografuar këtë strukturë, shkencëtarët kanë përdorur rreze X të fuqishme në laboratorin Bessy në Berlin, i cili është vënë në dispozicion menjëherë pas emergjencës globale koronavirus.
Klan Plus