Dy vëllezër, 33 dhe 31-vjeçarë nga Pogradeci, janë gjetur të vrarë me armë zjarri, rreth orës 11:50 në fshatin Zvrinë, midis Pogradecit dhe Maliqit.
Trupat e tyre janë gjetur në zonën e quajtur “Kisha e Vogël”.
Bëhet fjalë për Andrea dhe Martin Olldashin, dy persona që rezultojnë me precedentë penalë. Andrea Olldashi ka qenë disa herë me burg për vjedhje, kryesisht banesash. Sipas denoncimit të familjarëve, prej 2 ditësh vëllezërit nuk ktheheshin në banesën e tyre.
Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën. Gjithashtu, janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje.