Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel pati një ballafaqim mes ish-konkurrentes së “Për’puthen +40”, Gilberta Simoni, me pastorin dhe drejtorin e shkollës ku ajo punonte, Albert Dosti.
Gilberta pretendon se asaj nuk i është rinovuar kontrata, pasi është bërë pjesë e programit ku njihen njerëzit për të krijuar një lidhje dashurie. Simoni ka treguar edhe më herët se pastori nuk ka qenë dakord që ajo të hynte në program, e madje edhe e ka përjashtuar nga kisha.
“Pastori kur fola në telefon më tha se nuk kanë më vend aty personat që marrin pjesë në atë emision, unë nuk jam fëmijë. Kur ma thotë ai, unë jam e përjashtuar nga kisha. Jam shumë e prekur sepse është një person që e kam vlerësuar shumë dhe e vlerësoj. Pastori e di shumë mirë këtë pjesë”, tha Gilberta.
Ndërsa nga ana tjetër, pastori Albert Dosti, i cili është edhe drejtor i shkollë, hodhi poshtë të gjitha akuzat e ish-konkurrentes së “Për’puthen”. Sipas tij, Gilberta nuk është përjashtuar nga kisha. Përsa i përket heqjes nga puna, ai tha se ajo nuk ka riaplikuar për vendin e punës.
“Do ti them Gilbertës se disa gjëra që i ke thënë nuk janë ashtu. Janë dy gjëra të ndryshme. Kisha dhe shkolla. Kjo e fundit është projekt i kishës. Gilberta ka ardhur më vonë, e ftuar dhe ka pasur dëshirë. E ftuam në ato vite, bëra një klasë në shtëpinë e saj, kemi marrëdhënie të mira me familjen e saj.
Në lidhje me gjërat që dëgjuam nga Gilberta, më vjen keq çfarë është thënë. Po flasim për situatën e tanishme. Gilberta ka ardhur besoj 2 vite. Nuk është rilindur në kishën tonë. Më tha se kam dëshirë që të vij në kishën tuaj. Ramë dakord që të frekuentonte kishën tonë.
Është e vërtetë që nuk doja që të merrte pjesë në emision. Fillimisht Gilberta nuk erdhi si e punësuar, por si besimtare. E duke folur, si pastor që kujdesem për njerëzit, u kujdesa edhe për të.
Kemi parimet tona biblike dhe nuk isha dakord që të hynte në atë emision. Nuk e gjykoj programin. Unë i kam thënë si pastor, edhe nëse fëmija im do vinte, unë do i mësoja fjalën e biblës. Kemi parime biblike se si njerëzit të lidhen e të martohen.
Në lidhje me kishën, askush nuk e ka përjashtuar dhe nuk e kemi në doktrinë përjashtimin. Nuk ka marrë asnjë mesazh nga unë, ndonjë pastor tjetër apo nga njerëz të tjerë. Kisha është për mëkatarët dhe unë jam mëkatar që jam shpëtuar nga kisha.
Nëse një person vazhdon që të qëndrojë në mëkatin e vet, do kalojë në një këshill, do dalë para kishës. Nuk është përjashtuar. Termi përjashtim është fjalë tjetër, ka qenë këshillim.
Sa i përket shkollës, unë ju kam nisur rregulloren e shkollës. Kam një kontratë që rinovohet. Mësueset te ne, në 25 vjet kanë kontratën. Jemi OJF. Gilberta ka qenë në mësim deri në ditët e fundit të shkollës si gjithë të tjerët. Më datë 30 qershor i ka mbaruar kontrata dhe më 1 korrik hapet aplikimi online. Çdo mësuese riaplikon”, tha pastori.
Teksa Gilberta tha se është e zhgënjyer dhe e mërzitur nga pastori, Dosti i kërkoi falje asaj. Madje thanë që edhe mund të takohen që t’i sqarojnë gjërat nga afër.