Edhe pse ka 1 javë që Top Awards ka shpallur fituesit e edicionit të tij të parë, debati dhe polemikat rreth organizimit dhe organizatorëve vazhdon të mbushë faqet dhe portalet online. Pas 2PO2, Noizy-t, Beatrix Ramosaj një prej reperëve të parë shqiptar, Genc Prelvukaj, i cili njihet si lider i kompanisë Black Fish Entertainment dhe pjesë e duos Etnon, ka dhënë një tjetër deklaratë të fortë për stafin e Top Awards dhe bashkëautorin Ledion Liço. Në një intervistë për portalin Telegraf ai ka folur pa dorashka duke thënë se mos përfshirja e hitit Shake It ka qenë një zgjedhje personale e një stafi inkompetent dhe pa eksperiencën e duhur në muzikë.
Reperi ishte një prej më të zëshmëve bashkë me 2Po2 që kundërshtuan pjesëmarrjen dhe hapur kritikuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve Top Awards.
Genci thotë se mos pjesëmarrja ishte për shkak të organizimit të keq, influencave. Ai thotë se me të dhe Etnon ishte gjë personale, teksa ka porositur “djalin bjond” (duke iu referuar Ledion Liços si një prej organizatorëve kryesorë) dhe bandës së tij që të bëhen burra dhe t’u kërkojnë falje artistëve dhe publikut.
“Gjërat e kqija duhet kundërshtuar. Ju e patë edhe vetë. U bojkotua nga mbi 95% e artistëve, 4% u penduan rëndë pse shkelën aty dhe më pak se një përqind ishin ata që u ndanë mirë me ta. Këta të fundit gjithsesi jo me përshtypje të madhe. Eventi në fjalë ishte i destinuar të dështonte sepse kishtë njerëz qesharakë e naïve në krye. Pa kurrëfarë “ background” –i, pa asnjë lloj njohurie të industrisë së muzikës. Këta kanë ulur televizionin e tyre shumë keq edhe në sytë e njerëzve. Jo vetëm më këtë gjë, por edhe me gjërat tjera që kanë bërë me plot ndyrësi edhe më herët”.
“Nëse ka aksionarë të mencur aty këtë grup duhet ta margjinalizojë sa më shpejt. Sidoqoftë, është ndjenjë e bukur gjithsesi kur ata që duan të të godasin bëhën vetë me turp që nuk e lajnë asnjëherë. Përndryshe me neve e kishin përsonale sepse mosnominimi nuk kishte logjike tjetër. Megjithatë, pavarësisht faktit qe jetojnë për ti berë keq tjerëve unë atë djalin bjond (dhe bandën e tij) e ftoj të pjekët, të largojë urrejtjën nga vetja, të shikojë më gjërë, të bëhët burrë dhe ti kërkojë faljë publikut për irritim. Përndryshe ne e vazhdojmë rrugën”, deklaroi Genc Prelvukaj ekskluzivisht për Telegrafin.
I pyetur nga Telegrafi më konkretisht se pse ka ndodhur kundërshtimi i tij dhe nëse kjo ka pasur të bëjë me faktin se “Shake It” nuk fitoi çmimin kryesor, Genci thotë se projekti që ai ka lansuar bashkë me Gentën dhe Milotin ka merituar të nominohet, sepse sipas tij çmime kanë fituar materiale të të njëjtit zhanër, por me sukses më të vogël.
“Të kuptohemi drejtë ; ne kurrë nuk kemi kërkuar cmim. Cmime kemi shumë gjatë njëzet viteve. Nuk ka qenë as dëshira jonë të marrim edhe një stoli e ta lëmë në vitrinë. Kjo nuk përbën as arsyen pse jemi irrituar. Reagimin që ne e kemi bërë ka qenë për shkak se kënga as që nuk ka qenë e nominuar përgjatë shumë javëve. Kjo është absurd që vetëm urrejtja mund ta dizajnojë. Kënga është konsumuar shumë në të gjitha mënyrat; qoftë në internet apo edhe përmes kopjeve të shtypura, ka shumëfishuar numrin e koncerteve, cdo ditë na vijnë të dhëna e informacione për konsum përtej kufinjëe etnikë, etj. Tani më thuaj si është e logjikshme që as mos të nominohet përderisa kanë pasur përbrenda këngë, të natyrës së njejtë, por me sukses jashtzakonisht të ulët në krahasim me materialin tonë”, potencoi lideri i BlackFish Entertainmennt.
Grupi Etnon po shijon suksesin e këngës “Shake It” që ka arritur 21 milionë klikime, e ecuria dhe pëlqyeshmëria në publik nuk po ndalet, teksa i njëjti sukses po vijon edhe për “Turn me On”, projektin e ri që ka arritur 2 milionë e 300 mijë klikime.