Kreu i komisionit të edukimit dhe medias, Genc Pollo në një deklaratë në faqen e tij zyrtare në Facebook ka reaguar ashpër mbi dhënien e licensës kombëtare televizive nga AMA kompanisë ADTN. Ja se si shprehet ai:
“Lëshimi kompanisë DIGITALB i licencës së katërt kombëtare numerike nga Gentian Sala dhe tre anëtarë të Keshillit të AMA-s (të gjithë të nominuar nga PS-LSI) është jo vetëm një skandal me pasoja të rënda për lirinë e medias e demokracinë por edhe një vepër penale (shpërdorim detyre).
Duke i dhënë vetëm një kompanie dyfishin e licencave që gëzon me ligj TVSh krijohet një monopol mediatik në televizione që fare lehtë mund të komandojë linjën editoriale të gjithë kanaleve tv, të cilat do të jenë të detyruara të mbarten tek Digitalbi, në favor të vetes e në favor të padrinos politik Rama.
Duke i dhënë një kompanie kaq licenca shkelet me dy këmbë neni 62 i ligjit të medias (siç ishte e siç është) që ndalon që një apo shumë licenca kombëtare t’i ketë një pronar i vetëm.
Duke e marre vendimin me shumicë të thjeshtë G. Sala, P.Misha, G, Gjipali e Z.Bregu shkelën qartë ligjin e medias që parasheh shumicë të cilësuar për leshimin e licencave. Ashtu sikur edhe Rama, me 71 vota në Kuvend, të ndryshonte Kushtetutën e të shpallej sulltan.
Në këtë fazë anullimin gjyqësor i këtij vendimi mbetet urgjencë. Po ashtu edhe ndjekja penale e banditëve me ofiq duhet të bëhet sa me shpejt.
Shtatë deputetë të Komisionit të Medias, të djathtë e të majtë, i shkruajtën Prokurorit të Përgjithshëm para pak ditësh. Sot para faktit të kryer është koha për hapa të tjerë.”