Në Forumin e 4-t vjetor të Zhvillimit të Medias mbajtur në Tiranë, drejtori i përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi, shpalosi ndryshimet e rëndësishme të ndodhura gjatë dy vjetëve të fundit në transmetuesin e vetëm publik shqiptar. Duke vlerësuar OSBE-në si aleatin më të mirë të RTSH, ai tha se rëndësi e veçantë i është kushtuar pavarësisë editoriale.
“Një media e korruptuar flet për vdekjen e demokracisë” tha zoti Gëllçi. Ai pranoi se kriza më e rëndë në RTSH ka qenë reputacioni thellësisht i dëmtuar, por tashmë “Kemi arritur një stad të fortë të pavarësisë editoriale”.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH vlerësoi se interesi publik mbizotëron në punën e gazetarëve të RTSH, por pranoi se cilësia e raportimit duhet të ndryshojë.
Zoti Gëllçi me kënaqësi vlerësoi se RTSH ka bërë revolucion në transmetimet e tij, por tha se është e nevojshme të shtohen burimet njerëzore cilësore. Ai tha gjithashtu se RTSH ka nevojë t’i rriten burimet e financimit, jo nga qeveria, por nga publiku. Institucioni i vetëm i medias publike në Shqipëri po përmbyll me sukses procesin e digjitalizimit duke ofruar për publikun brenda dhe jashtë vendit standarte të përparuara transmetimi.