Kryeministri Rama kritikoi ashpër Marcus Lanz, gazetarin dhe prezantuesin gjerman të televizionit publik ZDF, i cili në ‘talk shown’ që mban emrin e tij përdori shprehje raciste ndaj shqiptarëve.
Teksa debatonte me ministrin e Transporteve Andreas Scheuer për projektligjin e shumë debatuar për bërjen me pagesë të autostradave gjermane, gazetari i ZDF-së i tërhoqi vëmendjen zyrtarit të qeverisë Merkel se debati po binte në nivelin e mashtruesve shqiptarë. Për më tepër batuta e tij u duartrokit në sallë.
“Po e ulni bisedën në nivelin e mashtruesve shqiptarë. Këtë po bëni”, tha gazetari.
Në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild, kryeministri Rama e konsideroi si të turpshme këtë deklaratë të gazetarit gjerman.
“S’është hera e parë e as e fundit që shqiptarët bëhen shënjestra e gazetarëve të plogët, por kur vjen nga një sipërmarrje mediatike kaq shumë e respektuar si ZDF, nëpërmjet dikujt me reputacionin të veçantë si zoti Lanz, padyshim që të lëndon shumë. Një ndjesë në emision do ta paraqiste si një gabim të pafajshëm, ndërkohë që e kundërta do të ishte shumë më lënduese edhe se vetë shprehja e turpshme”, tha ai.
Kritike me gazetarin gjerman, por edhe me publikun në studio që e duartrokiti janë shfaqur edhe mediat e këtij vendi. Deklarata e tij në media është konsideruar si shfaqje racizmi.
Tv Klan