Gazetarët gjatë punës së tyre të përditshme përballen me incidente dhe me situata të vështira, të pakëndshme, ngjarje të papritura, ngacmime seksuale e deri tek sulme fizike. Rasti i pak ditëve më parë me gazetaren kanadeze Krista Sharpe, e cila u ngacmua seksualisht me fjalë të rënda teksa ishte duke raportuar në rrugë ishte dhe ngacmimi për këtë diskutim.
Video e saj u bë virale dhe u mbështet nga shumë njerëz online, pasi ajo ndërpreu transmetimin dhe nuk po mundej që të vijonte.
Edhe në Shqipëri ne kemi shumë histori të ngjashme ose edhe më të rënda kur gazetarëve iu kanë marrë mikrofonin, i kanë shtyrë, i kanë gjuajtur apo i kanë fyer e ngacmuar seksualisht.
Në shumicën e rasteve ata ia kanë dalë që të vijojnë me intervistat apo me lidhjet direkte pavarësisht situatave të papërshtatshme, duke treguar kështu edhe profesionalizmin e tyre.
I ftuar në “Wake Up”, gazetari i Top Channel, Andi Bora ka rrëfyer disa nga momentet e tij më të vështira.
“Një nga incidentet ka qenë në zonën e Astirit, ku po bëhej aksioni për shembjen e banesave për t’i hapur rrugë projektit për ndërtimin e Unazës së Madhe. Ka qenë një moment kur filluan të më ofendonin dhe unë bëra vetëm një shenjë duke i thënë: ‘të lutem se jemi në transmetim live’. Kafshova buzën për t’i thënë që mos fol, se jemi live. Merr mikrofonin dhe e hedh. U desha të menaxhoja, pasi në një moment u kthyen të gjitha kamerat nga unë. Ky është misioni që kemi marrë përsipër.
Zotëria dy ditë më pas ka ardhur dhe më ka kërkuar falje, sepse sërish shkova të raportoja. Një ditë pas ngjarjes ata ishin të ftuar në Open me Eni Vasilin dhe ajo u kërkoi banorëve që të më kërkonin falje për atë që ndodhi. U qetësua si gjë”, u shpreh Andi.