Gazetari Endri Xhafo ka zbuluar se ka kaluar COVID-19 mirëpo ka harxhuar shumë para për ilaçet.
Ai ka bërë një postim ku zbulon ilaçet e përdorura dhe çmimet respektive.
Uroj me shpirt që Covid-19 të mos prekë askënd!
E para, sepse mbetet një SARS, pra një “sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes”.
Sot je mirë, nesër bëhesh për spital. Shumë të njohur tanët e kanë kaluar rëndë, madje ndonjë ka ndërruar edhe jetë! Vdekja nuk ka qenë thjesht një statistikë, por një person i njohur i yni, që deri dje rrinim bashkë.
Mamaja ime, që falë Zotit duket se po ia hedh edhe ajo, është rasti tipik se si një temperaturë vetëm 37.7° mund të të prekë mushkëritë në fazën e parë të pneumonisë.
Prandaj Covid-19 është i pabesë, sepse edhe kur nuk ke shenja klinike, mund të të lërë pasoja.
E dyta pse uroj mos të zërë askënd, është sepse të këput nga lekë
Të njohur të mi po më thonë që shumë njerëz nuk po mjekohen dot si duhet, vetëm për shkak të kostos së mjekimit.
Një analizë e plotë gjaku për COVID-19 shkon deri 11 mijë lekë/person.
Një kuti Favipiravir 200mg me 40 tab., ilaçi çudibërës i Fuji, që ka filluar të prodhohet edhe në Turqi, shitet 300€ (më thanë që më bënë nder që ma dhanë kaq sepse është shitur edhe 500€).
Një skaner në privat ka shkuar deri 50 mijë lekë, kurse një infermier i Infektivit për 1 seancë mjekimi intravenoz në shtëpi kërkon 4-5 mijë lekë të reja (duhen 10 seanca).
Prandaj uroj mos të zërë askënd! Ama nëse është e shkruar t’ju kapë, uroj ta kaloni si unë! Me shenja të lehta klinike, me mushkëri të pastra, me analiza gjaku gati për maratonë, me një padurim të madh për t’u rikthyer në punë!
Lekët, kush i ka, do t’i shpenzojë, se me shëndetin nuk luhet; ama mjekimi duhet i fortë qysh në fillim, sepse më pas s’të bën derman asgjë! Kjo është edhe filozofia e dr.Arjan Harxhit, të cilin e falenderoj pa masë!
Falenderoj edhe të gjithë ata që me mbështetje konkrete apo me interesimin e tyre na treguan familjarisht afeksionin e tyre! Janë të shumtë. Vetëm në gëzime ua shpërblefsha! Atyre që do të më bëjnë moral pse kam thyer karantinën (me maskë e në vende pa njerëz), u them që shëtitjet në ajër të pastër dhe rrezet e diellit që sintetizojnë vitaminën D, këshillohen nga mjekët. Përveç kësaj, jam:
– 12 ditë pas shenjave të para
– 8 ditë rresht pa temperaturë- 7 ditë pas tamponit.
Teorikisht nuk infektoj më.