Gazetari Artan Hoxha ka ngritur disa pikëpyetje të forta duke zbuluar detaje të reja lidhur me sulmin në “Top Channel”.
Përballë moderatorit Ylli Rakipi, gazetari tha se familja Hoxha ka lëvizur edhe më parë me eskortë sigurie. Sipas Artan Hoxhës kjo gjë tregon se ose janë kërcënuar në të shkuarën, ose kanë nuhatur rrezikun.
Gazetari shprehet se ky kërcënim ka dy drejtime, një ndaj objektit kryesor dhe drejtimi i dytë, për të treguar se nëse të kanë dhënë garanci nga pushteti, po të tregojmë se këtë garanci e ke kot sepse ne nuk pyesim as për pushtetin.
“Me aq sa kam informacion, ato (familja Hoxha) edhe më përpara kanë lëvizur të shoqëruara me eskortë sigurie. Kanë qenë të shoqëruara, sepse ose kanë qenë nën kërcënim, ose kanë nuhatur rrezik. Dua të kujtoj një skenë, kam qenë në një lokal dhe në tavolinë kisha tre vetë, dy aksionëre, një në Digitalb dhe një në Top Channel dhe ishin me eskortë, vetëm unë isha me duar në xhepa. A ka patur kërcënime? Nuk më çudit.
Me botuesit ka patur vazhdimisht probleme. Sot Top Channelit i ka vajtur një grup të FNSH. Sa është vlerësuar ky kërcënim? Në këto kushte nuk ka zgjidhje tjetër, përveç bashkëpunimit me agjensitë e zbatimit të ligjit.
Kjo ngjarje ishte qartazi një kërcënim. Nuk synonte të eleminonte askënd fizikisht. Ky është rast tipik mafioz. Ky kërcënim ka dy drejtime, një ndaj objektit kryesor dhe drejtimi i dytë, për të treguar se nëse të kanë dhënë garanci nga pushteti, po të tregojmë se këtë garanci e ke kot sepse ne nuk pyesim as për pushtetin.
A kanë patur interes të godasin gazetarë? Në pozicionin që ndodhet Top Channel, ke 100 mënyra për të goditur këdo nga ata. Pra nuk ka të bëjë me emra konkretë të stafit. Pra asnjë gazetar nuk ka qenë objekt i goditjeve të tilla.
Të dy këto element tregojnë se autorët nuk kanë patur asgjë personale me gazetarët e Top Channel. Ata kanë goditur fasadën e televizionit. Top Channel thotë se sulmi ka të bëjë me lirinë e medias dhe me atë që përfaqëson ky televizion.
Sot jemi para faktit, që ky sulm ka sjellë një mesazh të fortë. Kur goditet një media si Top Channel, e mendoni dot se cfarë mund t’ju ndodhë të tjerëve? Imagjinoni dot?”, deklaroi Hoxha.