Universiteti “Marin Barleti” i ka akorduar gazetarit, autorit dhe moderatorit Alban Dudushi çmimin “Barleti”, për kontributin e vyer në media dhe komunikim.
Alban Dudushi, ndër të parët emra dhe figura të Top Medias, aktualisht drejtues i emisionit të përjavshëm “Top Show”, u vlerësua me këtë çmim për dy virtyte të rëndësishme të komunikimit, ndershmërinë dhe pozitivitetin që përcjell tek teleshikuesit.
Mes emocionesh Alban Dudushi tha që vazhdon të jetë i njëjti.
“Barleti” është onorifik për personazhe të rëndësishme me kontribut në jetën publike. I pari që ka marrë këtë çmim ka qenë Armando Duka dhe Alban Dudushi është i dyti.
Fjala e gazetarit Alban Dudushi në ceremoninë e dhënies së çmimit “Barleti”
Kjo puna e çmimit është pak punë e ngatërruar ëë…? Vetëm të kujtoni dy muaj më parë gurgulenë që u bë me çmimin e parë të këngës në tvsh: Elvana Gjata, apo Harilena Ara? Kush duhet të shkojë në Eurosong? U ngritën dallgët e u përplasën njerëzit si mos më keq. Të shkretat Elvana dhe Harilena nga konkurrente e shemra, u kthyen në bashkëvuajtëse për shkak të komenteve të njerëzve….
Në të tilla raste, (të paktën mua kështu më ndodh), i sheh të gjitha këto dhe i thua vetes: faleminderit shumë që nuk u bëra këngëtar. Me gjithë dashurinë për muzikën, zgjodha një zanat tjetër që të lë jashtë këtyre andrrallave.
Të them të drejtën, që kur kam filluar të drejtoj Top Show-n, E Diell, Top Show Magazinë e shumë emisione të tjera gjatë kësaj kohe në Top Channel, publiku ndaj meje ka qenë konsensual. “Sa i mirë është Dudushi! Është shumë i ëmbël Dudushi. Është shumë i ekuilibruar Dudushi, nuk merret vesh hiç me kë është.” E kështu me rradhë. Dilja në rrugë dhe merrja aq shumë komplimenta sa m’u desh të bleja makinë. Futesha në facebook dhe shpërthente një llavë dashurie komplimentuese. Zgjohesha në mëngjes dhe isha një homo erectus i vërtetë. Dilja para pasqyrës dhe shikoja veten me sytë e dashurisë që më shikonin të gjithë ata që më ndiqnin në ekran.
Pastaj pasqyra u thye më dysh… para një viti, i ftuar prej koleges Eni Vasili, fillova të merrja pjesë në debate të nxehta politike. ME që moderimin e emisionit e bënte Vasili, unë duhej të thoja mendimet e mia. Dhe ja që mendimet e mia, e çanë publikun tim në mes dhe i vunë njerëzit e shkretë në pozicionin e atyre që përplaseshin për Elvana Gjatën apo Harilena Arën. Pra publiku im u nda në akuzatorë dhe në mbrojtës. U trondita…
Natyrisht nuk jam aq i i ri dhe i papërvojë sa të mos e di që kur thua mendimin tënd, do bësh dhe armiq. E di gjithashtu cila është gjuha e belbacukëve dhe deledashëve të facebook-ut, instagram-it, komenteve në youtube etj etj ku ka hapësirë që, siç thotë Eco, “Idioti i fshatit ta thotë mendimin e tij botërisht”. Asgjë nga këto nuk më trondiste. Më tronditi fakti që akuzatorët, apo detraktorët e mi më kërkonin çmimin. Të gjithë këta e dinin që unë isha shitur. Por donin çmimin. E paske dhe ti një çmim. Cili është çmimi? Çmimi? Madje dhe disa miq të mitë më pyetën: ore mirë që del e llap tek Eni Vasili, po a ke një çmim? Kjo më tronditi vërtetë shumë sepse, deri në atë moment nuk e dija që unë e paskam një çmim….
Kur i ra telefonit Arbi Agalliu dhe më tha “të mora për çmimin”, u trasha fare. Por pastaj mora vesh që çmimi im ishte Marin Barleti. Kështu që i falenderoj të gjithë stafin dhe drejtuesit e Universitetit Marin Barleti që treguan çmimin tim. Mund të thonë që qenkam shitur pak, por me siguri nuk e njohin Marin Barletin….
Kaq kisha për të thënë. Të tjerat janë histori, e cila natyrisht që duhet mësuar, pasi siç thotë Umberto Eco në letrën dërguar nipit të tij; kur lind në këtë botë je si spektatori që hyn në
kinema kur filmi ka filluar. Kanë ndodhur tashmë shumë gjëra. Është e rëndësishme të mësosh atë që ka ndodhur përpara se të lindje që të kuptosh atë që ëshë duke ndodhur.