Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, u njoh me një deklaratë të djeshme për median lëshuar nga organizata OMONIA, dega Sarandë, si reagim ndaj dëmtimit të një pllake përkujtimore dedikuar një figure që përshkruhet si “luftëtar i minoritetit etnik grek”.
Ajo që bie në sy në deklaratën e OMONIA-s, në të cilën kërkohet dhe reagimi i Autoritetit të Medias, është fajësimi për këtë akt i medias dhe sulmi ndaj saj, konkretisht rreth një përmbajtjeje me sfond historik që është transmetuar së fundmi në televizionin Top Channel nga gazetari Marin Mema. Gazetarët dhe përmbajtjet mediatike që ata përgatisin nuk mund të sulmohen dhe anatemohen me qëndrime ekstremiste, me mjete dhe shantazhe politike.
Kjo është kundërproduktive. Aq më tepër, kur emisioni në fjalë nuk përmban gjuhë urrejtje apo diskriminimi, por prezanton me dokumente historikë të dhëna mbi ngjarje dhe personazhe të caktuara.
Përballja me faktet dhe opinionet e gazetarëve nuk mund të bëhen me frymë armiqësore ndaj tyre, duke miksuar problematikën e rendit publik me nevojën e lirisë së fjalës dhe të shprehjes. Nuk mund të bëhet as duke bërë vlerësime politike a dogmatike, jashtë kontekstit dhe me ngarkesa të së shkuarës e të sotmes, si nxitje për sulme dhe kufizime të misionit dhe të pavarësisë së medias, dimensione bazike për çdo institucion dhe shoqëri demokratike.
Qëndrimi i OMONIA-s përligj hapur rastin absurd të vijimit të shpalljes “non grata” nga autoritetet e shtetit fqinj të gazetarit Marin Mema, vetëm se ai publikoi në televizionin ku punon një reportazh mbi shqiptarët në Greqi, bazuar në të dhëna dhe dokumente të hulumtuara.
Ndaj dhe na duket i pavend, i papërshtatshëm dhe në pozita ekstremiste qëndrimi publik i OMONIA-s kundër medias audiovizive dhe gazetarëve.
AMA vijon të mbetet e angazhuar për parandalimin dhe evitimin e gjuhës së urrejtjes dhe të diskriminimit të çdo lloji në transmetimet audio dhe audiovizive, që nxisin armiqësi mes popujve, apo që instrumentalizojnë aspekte që lidhen me trajtimin e pakicave në Shqipëri.
AMA i apelon institucioneve të shtetit shqiptar, në mënyrë të veçantë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që të ndikojë me të gjitha instrumentet ligjore dhe institucionale dhe të mbështesë garantimin e lëvizjes së lirë të gazetarëve shqiptarë, në ushtrimin e profesionit, në favor të lirisë së fjalës dhe mendimit të lirë.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
5 Dhjetor 2018