Mbrëmja e djeshme solli vërshimin e qytetarëve në panik e sipër në Tiranë dhe Durrës të cilët u dezinformuan nga një lajm i rremë i cili thoshte se në orën 23.30 do të binte një tërmet tepër i fuqishëm.
Situata kaotike bëri që Ministria e Mbrojtjes, përmes Ministres Olta Xhaçka të dilte në një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp për të qetësuar banorët dhe për të dezinformuar lajmin se një tërmet mund të binte por njëherazi dhe të parashikohej. Policia e Shtetit menjëherë njoftoi se ka arrestuar 2 gazetarë që supozohet të kenë publikuar lajmin, një nga “Syri.net” dhe Daniela Grica nga portali i Gazetës Shekulli.
Reagimet përveç qytetarëve të cilat ishin pozitive dhe vlerësonin aksionin e policisë kanë ardhur gjithashtu edhe nga redaksitë e dy mediave. Gazeta Shekulli ka dhënë një deklaratë ku kërkon lirimin e gazetares Ruci, ku sipas redaksisë lajmi nuk është publikuar aspak në portal. Siç pretendon “Shekulli”, i vetmi lajm që gazetarja ka publikuar ka qënë intervista e sizmiologut grek për Top Channel.
Reagimi i redaksisë së Gazetës Shekulli:
“Lironi gazetaren e ‘Shekulli”!
Policia e Shtetit njoftoi rreth gjysëm ore më parë se ka shoqëruar në polici gazetaren e gazetës “Shekulli’, Daniela Grica bashkë një koleg të portalit ‘Syri,net’. Sipas komunikatës së Policisë së Shtetit, shoqërimi i tyre është bërë pas publikimit të një lajmi të rremë se sipas parashikimeve të një sizmiologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë.
Redaksi e gazetës “Shekulli” proteston ashpër ndaj këtij veprimi të ulët dhe burracak të Qeverisë. Gazetarja e shoqëruar në polici nuk është autore e asnjë lajmi të rremë. Ajo vetëm ka postuar në faqen e gazetës online intervistën e televizionit ‘Top Channel’ me sizimiologun grek, dhe kjo mund të verifikohet lehtësisht.
Ai tekst që është shpërndarë online nuk është prodhim i redaksisë së gazetës ‘Shekulli online, por një fotoshop i sajuar trashë. Redaksia e gazetës ‘Shekulli fton specialistët e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit që ta hetojnë këtë fake news për të sqaruar gjithçka nëse duan të vërtetën.
Por nuk besojmë se qeverisë së Edi Ramës i intereson e vërteta. Në këto orë kur shqiptarët ndihem më shumë se kurrë pa qeveri, Edi Ramës dhe klikës së tij i duhen armiq, një front i ri beteje, që të spostojë vëmendjen nga indiferenca kriminale e tyre ndaj mijëra të dëmtuarve nga tërmeti. Edi Rama dhe qeveria e tij, e kanë halë në sy gazetën ‘Shekulli’ dhe çdo media kritike me të, sepse ajo ka denoncuar krimin, hashashin, koncesionet dhe hajdutërinë që po u bën shqiptarëve prej 6 vitesh.
“Shekulli’ i kërkon Ramës që të urdhërojë lirimin e gazetares Daniela Grica dhe të kolegut të saj dhe të merret me hallet e popullit të braktisur. “Shekulli’ do të vijojë të jetë denoncuese e të gjitha aferave të Ramës dhe klientëve të tij dhe këto do t’i bëjë me dokumente të vërteta, siç i ka bërë gjithmonë dhe jo me fotoshop. Ftojmë opinionin e gjerë ti bashkohet shqetësimit, kërkesës dhe protestës tonë për lirimin e menjëhershëm të gazetares së gazetës “Shekulli” Daniela Grica.”