Mjekët e Spitalit Infektiv, të pranishëm në frontin e parë të luftës me Covid-19, kanë qenë heronjtë e vërtetë të këtyre muajve të vështirë.
Mirënjohje dhe falenderime për ta ka pasur në të gjithë rrjetet sociale dhe mediat, megjithatë Arbana Osmani ka zgjedhur të bëjë më shumë se kaq. Moderatorja ka gatuar për stafin shëndetësor të Infektivit tiramisu, plot 100 të tilla, e ja ka shërbyer sot gjatë pushimit të drekës.
Për Arbanën kjo ka qenë një surprizë që e ka menduar prej kohësh dhe e ka bërë që këtë herë të jetë ajo që do të bëjë njerëzit e lumtur. Me anë të postimeve në Instastory moderatorja ka treguar se pregatitjet për këtë surprizë të shijshme kanë nisur që dje në orën 4 të mbasdites dhe kanë vazhduar deri në orën 9 të mbrëmjes.
E gjitha familja e ka ndihmuar në pregatitjet e ëmbëlsirave, për plot 5 orë. Ndërkohë ajo tregon se është hera e parë që gatuan për kaq shumë persona.
Po në Instagram ajo ka postuar çastin kur ka shkuar t’ja japë 100 tiramisutë stafit të spitalit. Arbana thotë se ka qenë një nder dhe kënaqësi e veçantë që të gatuajë për doktorët dhe i falenderon për sakrificat.