Çmimi i Madh i Toskanës do të jetë gara e parë me tifozë në këtë sezon të Formula 1. Gara e së dielës në pistën e Mugellos do të jetë gara numër 1000 e Ferrarit në Formula 1 dhe për këtë skuderia italiane ka kërkuar që ta festojë para një numri të kufizuar tifozësh. 2,800 mbështetës, shumë prej tyre që i përkasin klubit zyrtar Ferrari, e kanë marrë tashmë biletën e tyre.
Çmimi për të blerë një biletë nisi nga 750 deri në 1200 Euro, por më pas u fiksua në 150 deri 600 Euro. Spektatorët e pranishëm do të mund ta ndjekin garën nga 3 tribuna të ndryshme, natyrisht duke respektuar rregullat e distancimit fizik.
Në kuadër të kësaj gare jubile, Ferrari ka menduar të ndryshojë totalisht fytyrë. Sezoni aktual nuk është aspak i mbarë për kokëkuqen, por për këtë garë njëvendëshja italiane do të jetë speciale. Ferrari i kësaj gare do të jetë një rikthim në të shkuarën, një makinë që u frymëzua dhe shumë e ngjashme me atë të viteve ’50, kur debutonte në Formula 1.
Ngjyra e makinës nuk do të jetë e kuqe, por vishnje! Ferrari debutoi në Formula 1 në Çmimin e Madh të Monakos dhe prej asaj kohe ka fituar 239 gara, 16 tituj konstruktorësh dhe 15 kampionate shoferësh. Themelues i skuderisë ishte Enzo Ferrari, i cili fillimisht e nisi si pasion, për ta kthyer më pas në një nga kompanitë më të rëndësishme në glob.
Ndërkohë, Sebastian Vettel ka vendosur të qëndrojë në Formula 1 edhe për sezonin e ardhshëm. Me skadimin e marrëveshjes me kokëkuqen, gjermani hyri në bisedime me shumë skuderi, por ajo që e bindi ishte oferta e Racing Point, e cila sezonin e ri do të garojë nën logon Aston Martin Racing.
Në faqen zyrtare të skuderisë thuhet se marrëveshja me 33-vjeçarin vlen për 2 vitet e ardhshme me opsion për ta rinovuar edhe më tej. Për Vettel, kjo është makina e pestë në karrierën e tij në Formula 1: BMW Sauber, Toro Rosso, Red Bull, Ferrari e sezonin e ardhshëm Aston Martin. Vettel largohet nga Ferrari pas 6 sezonesh, ku arriti 14 fitore, por nuk mundi të shpallet kampion bote. Ky sezon është katastrofë, pasi deri më tani nuk është ngjitur në podium.