Ka kaluar thuajse 1 vit, që nga koha kur aktori Gabriel Garko, u përfshi në një incident dramatik në Sanremo, vetëm pak ditë para nisjes së festivalit. Shpërthimi në vilën, që aktori kishte marrë me qira, shkaktoi vdekjen e pronares së shtëpisë, gjë që e trembi shumë Garko-n. Edhe sot pas kaq kohësh ai e kujton historinë, duke rrëfyer detaje për “Corriere della Sera”.
”Një incident që më ndryshoi jetën. Pas asaj që ndodhi kam bërë terapi psikologjike. Është e tmerrshme të ndjesh vdekjen kaq pranë! Ishte mëngjes, po flija dhe kur u zgjova e gjeta veten nën gërmadha. Mendova se kishte ardhur fundi, por tani mendoj se ishte një mrekulli fakti që shpëtova gjallë”, – shprehet Garko. I prekur nga këto kujtime të këqija, aktori nuk ka dashur të tregojë më shumë detaje. Ai më tej ka folur edhe për dashurinë me partneren Adua, edhe pse shprehet se dashuria e tij më e madhe mbetet puna si aktor, e cila nuk do ta tradhtojë kurrë.