Në RTSH Sport prej disa vitesh ishte bërë traditë që të paktën një ndeshje e “Superligës Shqiptare”, të transmetohej pa pagesë për publikun. Këtë vit FSHF nuk e lejoi këtë, duke mos i shitur RTSH-së të drejtat për të transmetuar ndeshje nga kampionati më i rëndësishëm i futbollit në vendin tonë.
Për këtë arsye, kanali sportiv i “Televizionit Publik Shqiptar” që nga fillimi i sezonit futbollistik 2018-2019, transmetonte dy ndeshje nga “Kategoria e Parë”, në të cilën këtë vit marrin pjesë skuadra si Vllaznia, Erzeni apo Bylisi. Por këtë fundjavë pasqyrimi i dy ndeshjeve nuk ka arritur të realizohet nga RTSH Sport, pasi FSHF e ka lëvizur ditën e ndeshjes Bylis-Lushnja në të njetën ditë me Vllaznia-Erzeni. Kështu, kanali sportiv e ka pasur të pamundur ti transmetojë të dyja ndeshjet, për shkak të largësisë fizike të stadiumeve dhe vështirësive teknike.
Sipas RTSH kjo është një shkelje e kontratës që Federata ka me televizionin, e madje pretendon se është një veprim i marrë si ndëshkim për ta, për shkak të kritikave që televizioni bën ndaj punës së institucionit më të rëndësishëm futbollist në vend. Megjithatë FSHF ka deklaruar se lëvizja në kalendar është bërë për shkak se e kanë të pamundur të transmetojnë ndeshje të “Kategorisë së Parë” ditën e hënë apo të premten, pasi kuotohen në pikat e huaja të basteve dhe kjo mund të çojë në manipulimin e tyre. Se si qëndron e vërteta pritet të kuptohet në javët e ardhshme të kampionatit. /Blitz.al/