Avokatja e Shtetit, Enkelejda Muça, ka pranuar se Francesco Becchetti ka fituar shumën prej 108 milionë euros ndaj shtetit shqiptar. Për kryetarin e Komisionit të Ligjeve fajtor në këtë rast është drejtësia shqiptare, e cila ka vonuar marrjen e vendimit të dënimit për biznesmenin italian. Në arbitrazh mbyllja e televizionit Agon Channel është konsideruar vendim i padrejtë.
Qeveria shqiptare do të duhet të paguajë mbi 100 milionë euro ndaj Francesco Becchetti. Tashmë dhe Avokatja e Shtetit ka pranuar këtë situatë.
Gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Ligjeve, Enkelejda Muça, ka deklaruar se kërkesa e biznesmenit italian në gjykatën e arbitrazhit ishte edhe më e lartë.
“Në përfundim 1.2 miliardë kërkime ndaj Republikës së Shqipërisë janë akorduar vetëm më pak se 100 milion euro. Raporti i këtij zotërie me Republikën e Shqipërisë për shkak të kërkimeve të tij ka rezultuar të jetë terësisht i pabazuar.”
Pavarësisht vendimit të marrë, Muça ka deklaruar se qeveria shqiptare është kundër vendimit.
“Kërkesat që kanë paraqitur nga ky person të afërmit e tij dhe shoqëritë përpara gjykata ndërkombëtare janë bazuar në 98% të tyre terësisht.”
Edhe kryetari i komisionit të Ligjeve fajin e gjen te gjyqësori në Shqipëri.
“Edhe hetimi ka afate, edhe gjykimi ka afate. Natyrisht sistemi i drejtësisë do të duhet të respektojë me rigorozitet afatet e përcaktuara në kodin e procedurës penale dhe duhet të kishim pasur një vendimmarrje të shpejtë në lidhje me këtë proces penal. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.”
Francesco Becchetti fitoi gjyqin për mbylljen e televizionit Agon Channel, i cili tashmë është konsideruar si një veprim politik.