Presidenti francez, Emmanuel Macron ka njoftuar për lehtësim të një morie masash, të zbatuara me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Nga dita e hënë, kafenetë dhe restorantet mund të hapen në Francë, si dhe do të lejohet udhëtimi në shtetet tjera të Bashkimit Evropian.
Banorët e këtij shteti do të mund të vizitojnë anëtarët e familjes, që jetojnë në shtëpi kujdesi, të cilat janë goditur rëndë nga pandemia me koronavirus.
Ky vendim ka ardhur teksa një numër shtetesh në Evropë kanë rihapur kufijtë e tyre në mes të bllokut evropian nga dita e hënë.
Përmes një adresimi televiziv, Macron ka thënë se Franca ka arritur “fitoren e parë”, mirëpo ka paralajmëruar për kthim të mundshëm të virusit.
“Prej nesër, ne do të jemi të gatshëm të nisin një kapitull të ri në territorin tonë”, ka thënë ai të dielën.
Macron ka konfirmuar se nga dita e hënë do të hapet edhe gjithë rajoni i Parisit, i cili ka regjistruar numrin më të madh të rasteve të prekura me sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus.
Presidenti francez ka njoftuar se edhe shkollat do të rihapen nga 22 qershori, përveç për nxënësit e shkollave të mesme.
“Vera e 2020-ës do të jetë si asnjë tjetër dhe neve do të na duhet të vëzhgojmë zhvillimin e pandemisë, në mënyrë që të jemi të përgatitur me fuqi të reja, në rast se virusi kthehet sërish”, ka deklaruar Macron.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, më shumë se 29,400 persona kanë vdekur si pasojë e këtij virusi, derisa autoritetet franceze kanë regjistruar 194,000 raste të infektimit.